Monumenti “NewBorn”

Më 17 shkurt 2008, kur pritej të shpallej pavarësia e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik, në orën 03:00 të mëngjesit, ende pa u shpallë pavarësia e shtetit më të ri në botë, para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, u vendosën 7 shkronja. Ato qëndruan të mbuluara deri në orët e vona të mbrëmjes së asaj të diele, kur zyrtarisht, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

7 shkronja “NEWBORN”, skulpturë tipografike me ngjyrë të verdhë, u shpalos në mbrëmje. “NewBorn” (nga anglishtja “i posalindur”) është zgjedhur si fjalë angleze për të përshkruar lindjen e një shteti të ri.
E krijuar nga Fisnik Ismaili dhe agjencia kreative “Ogivly”, e paraparë nga organizatorët që në shkronja të nënshkruhej me marker të zi, u ftua Presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi, t’a nënshkruanin të parët këtë monument. Më pas, në këto 7 shkronja gjetën vend dhe 150.000 nënshkrime të tjera të qytetarëve, që festuan atë natë lindjen e shtetit të ri.

Kompanisë “Ogivly” iu deshën vetëm 11 ditë për të krijuar këtë monument nëntë tonësh të rëndë, 3 metra të lartë, dhe 24 metra të gjerë.
NewBorn fitoi 7 çmime ndërkombëtare. I pari qe, ai i Majamit, i muajit maj të vitit 2008, e që ishte “Clio i Argjendtë”. Një muaj më vonë pasoi çmimi i dytë, më i rëndësishëm se i pari, e ky ishte “Luani i artë” i fituar në Kanë më 17 qershor 2008. Për të pasuar edhe pesë çmime të tjerë në fushën e dizajnit.

NewBorn u ringjyros në vitin 2013, pak ditë para 5 vjetorit të pavarësisë. Këtë herë, “NEWBORN” mori pamjen e flamujve të shteteve që e njohën Kosovën. Për ringjyrosje u përkujdes autori i monumentit, Fisnik Ismaili, i ndihmuar vullnetarisht nga shumë të rinj kosovar.
Më pas me ringjyrosjen e “Newborn” me flamuj të shteteve të botës, në vitin 2013 konkurruan në Kanë, por arritën të hynin vetëm në rrethin e ngushtë, por jo dhe të fitonin çmim. Por, sipas autorit të këtij projekti, vetë hyrja në rrethin e ngushtë nënkuptonte sukses.

Për 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, u vendos që ky objekt të ngjyroset me ngjyrat e uniformës së ushtrisë së NATO-s dhe të ish UÇK-s. Çdo shkronjë mori larat e uniformave të njërës prej ushtrive kryesore të ruajtjes së paqes në Botë.

Për 7 vjetorin e festimit të pavarësisë, ideja e ngjyrosjes ishte që të bëhet sipas dëshirës nga qytetarët. Ajo se çfarë bie në sy këtë vit ishte shkronja “E”, e cila ishte tërësisht e ngjyrosur me ngjyrë të zezë.

Per 8 vjetorin monumenti NEWBORN mori një pamje tjetër, e cila sipas ideatorit të këtij monumenti, qielli dhe telat simbolizojnë gjendjen aktuale në vend.
Monumenti “NEWBORN”, edhe pas tetë vjetësh të vendosjes para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, edhe më tutje nuk e ka humbur aktualitetin. Ai vizitohet nga mijëra e mijëra vizitorë të jashtëm dhe vendor, dhe ajo që ia vlen të theksohet, është se, NewBorn është objekti më i fotografuar nga të gjitha objektet e tjera në të gjithë trojet shqiptare.
(Shkrimi është bërë në Shtator të vitit 2014 […](teksti është përpunuar në shkurt të vitit 2016).