Amanetet e Haxhi Dalipit

Anila Mema
11 min readDec 7, 2018

--

Familja tregon kujtimet për bashkëshortin, babain, profesionistin e suksesshëm

ANILA MEMA

U promovua sot në ambjentet e Akademisë së Shkencave, libri i studiuesit, muzikologut Haxhi Dalipit, “Duke përjetuar këngën labe”. Libri i realizuar nën kujdesin e familjes, veçanërisht të birit, Aldrinit, përmbledh pjesën më të madhe të trashëgimisë teorike që ka lënë Haxhi Dalipi në fushën e etnomuzikologjisë. Vepra ka si objekt të saj muzikën tradicionale labe, duke shqyrtuar stilet muzikore më përfaqësuese të tij, si dhe variantet kryesore melodike; afritë dhe dallimet midis muzikës zanore dhe asaj intrumentore, muzikës së grave dhe asaj të burrave, muzikës njëzërëshe dhe asaj shumëzërëshe. Haxhi Dalipi është një promotr i jetës muzikore në Vlorë , autor i dhjetra artikujve nga fusha e muzikës, krijues i këngëve popullore dhe dirigjent, drejtues me përvojë dhe organizator i jashtëzakonshëm, i apasionuar i përjetshëm ndaj polifonisë dhe këngës labe të tgjitha trevave.

Gjatë promovimit të librit në Akademinë e Shkencave

Më poshtë po ju sjell një intervistë ekskluzive me të shoqen Perin dhe të birin Aldrinin, ku tregojnë jetën me artistin. Shkrimi është realizuar në shtator të vitit 2007, por që mbeti i pabotuar atë kohë.

Hygoi thoshte: Muzika është afshi i artit. Ajo qëndron te poezia si qëndron ëndrra te mendimi. Është pafundësia në pafundësi”. E një pafundësi mendimesh, një pafundësi ndjenjash, notash të renditura në pentagrame, ndihen dhe sot, tek kënga popullore qytetare, tek monofonia “Çu këput një këngë nga mali” , tek iso-polifonia e Vlorës apo tek veprat e muzikës instrumentale dhe studimet e tij me karakter shkencor. Autori është vetëm një. Një pasionant, i dehur nga madhështia e këngës labe, një admirues, që nuk rendi së gjeturi rrënjët e saj dhe një artist rebel në dukje por i madh në shpirt, që diti gjithmonë të drejtojë dhe t’i përjetësojë këto vlera në zhanre të ndryshme të muzikës. Haxhi Dalipi, muzikolog, mjeshtri i muzikës popullore, “Artisti i Merituar”, Qytetar Nderi i Vlorës, ish-drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ndonëse prej një viti ndodhet në përtejbotë, sot vepra e tij flet vetë. Flasin miqtë, bashkëshortja Peri, djemtë Aldrini dhe Dritani. Para se të ndahej nga jeta, la tri porosi: të shihte dhe një herë Vlorën, të dëgjonte këngën labe e ta prekte atë. E sot, në Vlorë, aty ku jeta i mori udhë, prehet i qetë. Familja tanimë di si të kujdeset, për veprën që la pas dhe emrin e tij të mirë. Detajet i shpjegon në këtë intervistë eksluzive djali i madh i tij, Aldrini i cili kujton në veçanti pasionin e tij kur fliste për Himarën.

Polifonia, ç’vend zinte? Ç’ishte Himara për të

Himarën e quante shpesh mbretëreshën e labërisë. E studionte edhe këngën labe edhe historinë e Himarës dhe kishte njohje të thellë në spektrin e sotëm. Himara ka pasur ndikim në jetën e tij të mëvonshme, i dha gjallëri. Punoi aty me poetët e mëdhenj si Lefter Çipa, këngëtarin e isopolifonisë Dhimitër Varfi, u njoh me muzikën e Neço Muko Himarjotit etj, e u mëkua nga pasuria e pashtershme e tingujve të kësaj treve. Në përgjithësi linte përshtypje për mënyrën se si i realizonte gjërat dhe me mençuri dhe me vlerë dhe në fakt ai ishte lindur e rritur me këtë frymë që në Gjirokastër në një familje me kulturë. Por përveç muzikës që kompozonte nuk iu nda dëshira për iso-polifoninë. Ka qenë shpesh inspirues i dëshirës së shumë miqve të tij për të studiuar folklorin dhe polifoninë, një prej së cilëve është dhe Spiro Shituni, sot profesor dhe studiues i folklorit në universitet në SHBA.

E ndiqnit nga pas në koncerte a rrugëtime drejt polifonisë?

Zakonisht me merrte me vete shpesh dhe pothuaj kam levizur në gjithë labërinë ne moshe shume te vogelme te.Te gjithe e therrisnin profesor. Mbaj mend ishte i vëmendshëm për të marrë tek brezat e vjetër të labërisë, tek ata që kujtonin motivet e këngëve, mënyrën si ishte kënduar kënga nga te paret e tyre. Gjithmonë mbante me vete një manjetofon me bobina që peshonte goxha dhe incizonte këto motive që gjente në çdo fshat. Kur kthehej i punonte dhe i dëgjonte, e shkruante vazhdimisht. Inçizonte edhe shumë motive që ishin të harruara dhe kishin ngelur diku në memorien e dikujt nëpër labëri. E merrte nga ai arkiv dhe e bëntë të gjallë dhe jo pa shkak. Vlora dhe labëria e Vlorës në atë kohë në festivalin kombetar te Gjirokastrës kanë qenë befasuese për studiuesit shqiptar dhe ata të huaj nga kënga “Janinës çi panë sytë” e te tjera kenge te cilat ishin te paperseritshme dhe deshmi autentike e kultures e historise sone sic thosh im ate. Mbaj mend një motiv që babai iu thoshte miqve të tij kur bisedonte: një burre i mocem ne nje fshat te laberise i pati thënë: “kur kendonin për të parë nëse kënga, isopolifonia, shkonte mirë, atëherë vendosej një fije bari në nje saç tek dera dhe përballë tij ja merrnin kenges njerzit. Nëse fija e barit do dridhej atehere kënga shkonte mirë. Mënyrë si e takonte dhe e prekte ai isopolifonine, pavarësisht se e kam baba, për mua ngelet befasuese.

Çfarë dëshironte nga ju. Ndonjë amanet, ndonjë porosi?

Ai iku në një moshë jo të vjetër dhe jo të pritur. Javën e fundit të jetës së tij, nuk na la amanet siç lihet zakonisht. La vetëm tri porosi: Nëse do te jem mirë dua të më çoni në Vlorë. Dua ta shoh edhe njëherë detin dhe të ndjej aromën e tingujt dhe pastaj do më çoni në Labëri tek miqtë e mi. Dua të ri me ta, që të dëgjoj dhe të prehem edhe njëherë me këngën e labërisë. Nëse nuk do të jetoj do më çoni përsëri atje në Vlorë”. Në ato momente kjo kishte të bënte me diçka që për mua ishte e habitshme se në këtë kohë shumë vlera humbasin, por ai realisht nuk jetonte dot pa to. Kur shkëputej prej tyre nuk ishte më ai që ne njihnim.

E kujtoni në shtëpi teksa punonte?

Në shtëpi punonte në pjesën më të madhe të kohës në piano, shkruante dhe lexonte. Shpesh kur krijonte pyeste vazhdimisht nënën time, si të duket kjo pjesë, apo kjo pjesë tjetër. Kishte besim tek fjala e saj. Po t’i thoshte ime më është mirë, e linte ashtu. E kishte si kritike për muzikën.

Mbaj mend përpara diku rreth viteve ’75 — ’80, babai kishte në shtëpi një komodinë; sirtarin e së cilës e shihja të kyçur. Gjithnjë kur ai ishte jashtë qytetit apo jashtë vendit isha kurioz të merrja vesh çfarë “fshihte” aty brenda. Afrohesha dhe mundohesha ta shihja sadopak, nga ajo pak hapësirë mund të dalloja që aty kishte libra, por libra ai kishte dhe në bibliotekën e tij. Më vonë mora vesh që aty kishte libra që për kohën ishin të ndaluar. Ishin libra të njerëvze të mëdhenj të artit, studime apo të letërsisë botërore që i siguronte me shumë vështirësi nëpërmjet miqve të tij kosovarë apo kur i jepej rasti kur ndodhej jashtë shtetit. Kjo do të thotë se konsultohej me literaturë bashkohore në atë periudhë, ndonëse ishte e vështirë. Një miku i tij, muzikant në TOB, Arben Llozi më kujton se babai njihte shumë mirë kompozitorët e njohur bashkëkohor të viteve ’70-‘80 si italiani i famshëm Luciano Berio apo francezi Oliver Mesiani nga të cilët kishte partitura që i ruante fshehtas apo regjistrime të veprave të tyre. Në Shqipëri këta kompozitorë ishin të ndaluar dhe veprat e tyre as në radio nuk mund të dëgjoheshin. Ka punuar me shumë pasion. Dëshira e tij ishte të arrinte diçka ndryshe dhe të papërsëritshme siç e shprehte vetë ai. Donte ta ofronte gjithë publikun në Vlorë, në veçanti të njihte kulturën muzikore dhe emrat e mëdhenj të artit.

Po vitet në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, si i kujtoni?

Rrallë kemi ndenjur bashkë për shkak të punës gjatë asaj periudhe, por puna në Ansambël për të ishte punë që e njihte mirë edhe kishte një merak e thoshte shpesh: nëse ato emra që që kishin pasur forcën për të mbajtur gjallë aty folklorin e muzikën popullore shqiptare, si Cesk Zadeja, Tish Dajija, etj, nuk ishin më, detyra dhe obligimi i tij, ishte ta çonte më tej dhe bashkë me artistët e mirënjohur e të rinj të Ansamblit të ringjallnin apo të sillnin në skenë vlerat më të mira të muzikës popullore. Eshtë koha pastaj që i jep vlerën njeriut për atë që ka bërë.

Çfarë veprash ka lënë pas, çfarë dorëshkrimesh?

Realisht ka lënë shumë vepra që pëfshijnë një spektër të gjerë që nga përpunimet e muzikës popullore, vepra instrumentale, të cilat janë luajtur e dirizhuar nga ai në Orkestreën Sinfonike të Vlorës, të cilat kanë qenë repertor edhe i orkestrës së RTSH. Ka lënë studime të ndryshme për folklorin të cilat i ka mbajtur në takime kombëtare e ndërkombëtare, e deri tek vepra për piano e instrumente të tjerë që janë luajtur në kuadrin e muzikës së re pas viteve ’90 edhe në auditore e përballe artistëve e kompozitorëve shqiptar e të huaj. Ndërsa dorëshkrime ka shumë. Natyrisht ka dhe shumë artikuj apo intervista të tij kryesisht për isopolifoninë në gazeta të huaja te cilat besoj janë vlerë më vete.

Keni ndonjë projekt për veprën e tij?

Për dorëshkrimet kemi. Po i mbledhim dhe po punojmë për të bërë një libër, që ishte meraku i tij i fundit. Do të realizohet nën kujdesin e bashkëpunëtorit e mikut të tij prof.Sokol Shupo. Po kujtoj nje moment ditën kur isopolifonia u pranua në UNESCO. Ndihej pjesë e kësaj arritje dhe më fliste shumë i lumtur për këtë. Ndërsa në Vlorë ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij kanë për të realizuar një koncert me vepra instrumentale, ashtu dhe të muzikës popullore të përpunuar. Por, tani do të fillojmë të punojmë më mirë me bibliotekën e tij, sepse vdekjen e tij nuk e prisnim dhe këto kohë kanë qenë të vështira për ne. Sigurisht, disa vepra, ai, i ka lënë gati, ka pjesë të tjera të lëna përgjysmë

Çfarë përmban arkivi i Haxhi Dalipit?

Vepra muzikore, folklor, bobina me këngë të vjetra iso polifoni, ka shumë këngë vlonjate të përpunuara të vjetra, partitura me muzikë të instrumentale etj…

Haxhi Dalipi në kujtimet e një gruaje të bukur

Peri, është një grua e gjatë, me flokët e zezë e tipare të theksuara. Janë gjurmë të bukurisë rinore. Ishte e re dhe vajza më e bukur në Vlorë atëherë, në kohën kur mjeshtri i muzikës Haxhi Dalipi, i “vodhi” zemrën. Ishte grupi i një kori që i takoi së bashku. Peri ishte aty. Ndërsa Haxhiu një djalë gjatosh, simpatik por një drejtues i rreptë. Kërkonte disiplinën dhe për këtë , ndëshkonte. Kështu e kujton kohën e njohjes me muzikantin, Peri, kjo grua e fortë, që nuk nguron të flas edhe pse ka emocione. Tregon plot pasion dashurinë me artistin, kapriçozin në punë, por gjithmonë të zotin…. “Isha e re, dhe e shikoja si me ndrojtje. Për herë të parë e pashë, aty në kor. Po aty, më pa. Unë, sigurisht pa qëllim, por nuk besoj se nga ana e tij ishte e njëjta gjë. Në gjimnaz më erdhi edhe një herë tjetër, aty u njohëm dhe filloi miqësia jonë. Por që në fillim isha e prerë”, thotë Peri teksa tregon për njohjen në familje, fejesën dhe largimin e artistit drejt Himarës.

“U fejuam dhe Haxhiun e caktuan në atë kohë, viti ‘ 67 për gati 4 vjet në Himarë të jepte mësim. Edhe kur lindi Aldrini, ishte atje. Madje prej andej dërgoi edhe emrin “ALDRIN”, tregon, duke shtuar se jeta e tyre nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë.

“Në Himarë ishte që nga mosha 26 vjeç. Aty bëri jetën si mësues muzike, por ndërkohë merrej shumë me studimin e këngës labe në Himarë, rrëmonte që të gjente origjinën e saj dhe kishte miq poet e këngëtar të polifonisë. Më pas shkoi për studime në Institutin e Larte të Arteve në Tiranë, e më pas erdhi në Vlorë dhe filloi punë në Pallat të Kulturës”, tregon ajo. Aty u emërua shef muzike dhe dirigjent i orkestrës sinfonike të Vlorës. Merrej edhe me përpunimin e këngëve qyterare vlonjate, gjë për të cilën merrte ndihmë edhe nga bashkëshortja, Peri, e cila rridhte nga një familje qytetare vlonjate dhe njihje mirë muzikantët e atij vendi, këngët po ashtu. ”Pasioni më i madh i tij ka qenë kënga labe, shpirti i tij ka qenë tek polifonia. Në Labëri shkonte shpesh dhe ishte kaq i dhënë sa nuk pyeste në ishin ose jo sëmurë fëmijët, nëse kishim ose jo probleme. Por kjo ia vlen se ka bërë vepra që nuk harrohen lehtë për trevat e labërisë. Më kujtohet monofonia “Çu këput një këngë mali” ka qenë me vlera të mëdha dhe ai u mor me kujdes. Si kjo edhe shumë të tjera, të cilat shpërthyen në festival rreth viteve ’80 — ‘85”, shton më tej Peri, teksa kujton koncertin e parë të tij, aq të bujshëm kur Haxhiu ndodhej në Himarë.

“Ishte një minifestival që u bë në Teatrin e Vlorës me ca si tip boblash, (guaska deti që nxjerrin tinguj të veçantë) Atëkohë në Vlorë ka qenë diçka e rrallë. Zakonisht nuk e shoqëroja shpesh nëpër udhëtimet e tij. Në kërkim të gjurmëve të këngës labe, por e shoqëroja në koncerte, sidomos ato në Vlorë, ndërsa në rrethe shumë rrallë. Unë gjithmonë ndihesha e vogla dhe ai njeriu i madh. Megjithëse ka bërë një jetë të vështirë, Haxhiu ka pasur një shpirt të lirë dhe para lirisë së tij ai nuk falte asgjë”, thotë Peri, e cila tashmë ka mësuar një secret — “Pasioni më i madh i Dalipit ka qenë të udhëtonte nëpër labëri aty ndihej i lirë e mëkohej me krenari të vërtetë”. E ka zbuluar këtë gjë, gjatë kohës kur Haxhiu nuk jetonte më, në një shënim që kishte lënë në një fletore mes partiturave. Dhe ndihet e lumtur. “Një bashkëshort si Haxhi Dallipi, dinte të respektonte, dinte të vlerësonte, ndonëse si natyrë ishte disi i rreptë. Ishte një baba që djemve të tij u mësoi rrugën e artit dhe të dashurisë për vendin e tyre. Por një artist si Dalipi, me pasion të madh, kurrësesi nuk mund të bënte gjumë rehat”, thekson Peri.

Bashkëshortja tregon për Haxhiun;

Si baba…

”Shumë i rreptë! Njeri që nuk falte gabimet, shumë autoritar. Pavarësisht se dukej i largët ka qenë shumë i kujdesshëm dhe ndikonte në jetët e fëmijëve që të ishim të vlefshëm në atë që do bënim. Ishte i pranishëm gjithmonë”

Si bashkëshort…

“I sjellshëm, me norma, por autoritar. Jetën e kam bërë të mirë me të, kam pasur fat që e kam pasur bashkëshort, kam mësuar shumë nga ai. Ishte i ditur….”

Pasionet e një mjeshtri…

Një nga pasionet e tjera të Haxhi Dalipit krahas isopolifnoisë ka qenë boksi dhe noti. Djemtë kujtojnë se gjatë kohës kur ka studiuar në Liceun Artisktik, Haxhi Dalipi ka qenë edhe pjesëmarrës në skuadrën e të rinjve të Dinamos për boks. Ndërsa, si notar, ka qenë ndër të paktët djem tek hidhej nga kalaja e Vlorës, veç me kokë ama.

Historia/ Si u pranua në lice

Shpesh familja Dalipi kujton me nostalgji historinë e fëmijërisë së mjeshtrit të muzikës. ”Shpesh babi na thoshte se kur iu desh të konkurronte në Liceun Artistik, mbërriti me vonesë në Tiranë”. Mbërritja e djaloshit plot pasion në Lice ishte e vonuar. Konkurrsi ishte kryer, por Haxhiu nuk tërhiqet; troket dhe hyn në zyrën e drejtorit të Liceut. “Kam ardhur nga Vlora — i thotë — dhe dua të bëj konkurrs”. Por drejtori i çuditur i tregon se konkurrsi kishte mbaruar. Menjëherë djali i shkathët ia kthen, “Unë nuk kthehem në shtëpi pa bërë konkurrs”. I habitur nga këmbëngulja e këtij djali, drejtori i jep një copë letër, në të cilën shkruhej adresa e shtëpisë së mjeshtrit të muzikës, Ramadan Sokoli. “Shpesh, babai na kujtonte, kur sapo shkoi tek shtëpia e mjeshtrit që ndodhej pranë Ministrisë së Arsimit hapet porta dhe i del përpara një burrë i gjatë me një robdisham të gjatë që e fton të hynte brenda. Deri atëherë, Haxhiu kisha parë vetëm në filma, një njeri të veshur kështu”, tregon Aldrini, sipas kujtimeve nga i ati. Por djaloshi, që kish ardhur nga Vlora ia mbushi mendjen mjaft mirë, Ramadan Sokolit, i cili e vuri në provë. I këndon këngën qytetare vlonjatase “Rritu mollëz ooo”, interpretimi i së cilës bën që Sokoli t’i jepte në dorë një flaut e t’i thoshte mandej; “Do jesh nxënësi im. Po! Pranohesh në Lice”.

Shtator 2007

--

--