Fjala…

Anila Mema
2 min readOct 30, 2018

--

  • Fjalë- a ef. shm. Tingull a varg tingujsh të shqiptuar a të shkruar, që shfaqin një ide, tregojnë një kuptim, përshkrim, vend, kohë, lajm apo mendim. Fjala është pjesa themelore e marrëveshjes (komunikimit) gojor midis njerëzve.

Sa fjalë?!

  • Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetër). Fjalë ndërkombëtare. Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë e ndërmjetme. Fjalë e ndryshueshme (e pandryshueshme, e palakueshme). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. I ha fjalët i shqipton fjalët në mënyrë jo të plotë. Ndaj fjalën në rrokje.

Pse fjalë? Sepse, e para, është fjala! E kudondodhur. E kudofolur! E kudoshkruar! Në shtëpi, në rrugë, në punë, në të përditshmen tonë. Fjala si formë komunikimi. Dhe komunikim nëpërmjet fjalës.

  • Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra (të rënda, fyese, të ndyra, poshtëruese). Fjalë mashtruese (joshëse). Fjala e mësuesit. Fjalë pas fjale. Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Jemi në një fjalë me atë. Bëj (shkëmbej) fjalë, bisedoj. Fjala nxjerr (sjell, pjell) fjalën, gjatë bisedës dalin gjëra të reja, duke biseduar për diçka, bie fjala edhe për diçka tjetër. Fjala është me e rëndë se plumbi. Zihej (grindej, hahej) me fjalë. I ktheu fjalë. S’tha as gjysmë fjale, s’foli fare. E mori fjalën prapa. S’e kthen fjalën (mbrapsht).

Në këtë adresë do gjeni fjalë me shumicë; të shkruara ndër vite. Shumica të publikuara, në mediumet tona, të tjera; për herë të parë. Ndjesi, mendime, pohime e mohime. Biseda, intervista e reportazhe. Letërkëmbime a jetëshkrime. Eksperienca të jetuara e të treguara, të rrëfyera nëpërmjet fjalës. Herë si fjalë e thënë e herë si fjalë e dhënë.

Se mbi të gjitha, gjithçka, vjen rrotull fjalës.

--

--