VËZHGIMI/Dështimi i votimeve në Kavajë dhe mospjesëmarrja e PD-së në zgjedhjet e 18 Qershorit, kushtojnë 300 mijë euro

Dështimi i votimeve për zgjedhjen e kreut të bashkisë së Kavajës dhe bojkoti që ka vendosur t’i bëjë opozita zgjedhjeve të 18 Qershorit do t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 300 mijë euro.

Mosmarrëveshja midis mazhorancës dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike, ka kushtëzuar jo vetëm regjistrimin e paktë të partive politike, që do të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 18 Qershor, vetëm 15 të tilla, por edhe printimin e fletëve të votimit.

Sipas burimeve kofidenciale për “Tirana Today”, bëhet e ditur se kompania greke “Inform Lykos”, e cila do të prodhojë edhe fletët e votimit, ka nisur printimin e tyre pasditen e së martës.

Fletët e votimit do të shtypen në Greqi për t’u transportuar më pas në Shqipëri.

Kjo është hera e parë që fletët e votimit shtypen në shtetin fqinj pasi më parë ato printoheshin në Slloveni, Itali dhe në vendin tonë.

Kostoja e 18 Qershorit

Sipas të dhënave paraprake, mësohet se kostoja e prodhimit për secilën fletë do të jetë 12.3 lekë pa TVSH dhe shpenzimi në total që duhet të paguajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me paratë e taksapaguesve shqiptarë arrin rreth 250 mijë euro, kosto kjo që u referohet 3.451.896 shtetasve, të cilët kanë të drejtën për të votuar më 18 Qershor.

Ndërkohë që kompania ka nisur punën për prodhimin e fletëve të votimit për 15 subjektet zgjedhore të regjistruara në KQZ, faktori ndërkombëtar ka rritur intensitetin e përpjekjeve për të bindur kreun e Partinë Demokratike Lulzim Basha që të hyjë në zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 98, pika 1, të Kodit Zgjedhor, me vendimin nr. 13, datë 12.01.2017 “Për miratimin e modeleve të fletëve të votimit për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017” miratoi modelet e fletëve të votimit për subjektet zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017.”, thuhet në vendimin e KQZ, të datës 8 maj. (PËR MIRATIMIN E PËRMBAJTJES SË FLETËS SË VOTIMIT PËR ZGJEDHJET PËR KUVENDIN TË DATËS 18 QERSHOR 2017)

Nëse do të arrihet një marrëveshje midis palëve për të zgjidhur krizën politike sipas kushteve të vendosura nga opozita, dhe nëse PD së bashku me aleatët e saj do të vendosin të marrin pjesë në zgjedhje më 18 Qershor, apo nëse zgjedhjet do të shtyhen për një periudhë të mëvonshme, atëherë KQZ do t’i duhet të adresojë tek kompania greke kërkesën për printimin e fletëve të reja të votimit. Ndërsa ato që po printohen aktualisht me koston e 250 mijë eurove do të përfundonin në kosh.

Kjo vlen vetëm për fletët e votimit për 18 Qershorit, pasi Kavaja ishte një dështim i plotë pas tërheqjes së kandidatit të Partisë Socialiste nga ana e kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të shmangur përplasjen e mundshme midis dy forcave politike.

Kavaja kushtoi 50 mijë euro

Duke iu referuar pasqyrës përmbledhëse të strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë së Kavajës, të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezulton se totali i gjithë shpenzimeve për përgatitjen e procesit zgjedhor në Kavajë shkon në 7 milionë lekë të reja (70 milionë lekë të vjetra) të konvertuara në monedhën evropiane, rreth 50 mijë euro.

Zërat e shpenzimeve nisin që nga pagat dhe shpërblimet për anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve, materialeve të ndryshme, si fletët e votimit, karburanti, shërbimet e transportit, qiramarrja dhe shërbimet për regjistrimin e numërimit të votave.

Shpenzimet për përgatitjen e procesit zgjedhor në Kavajë
Nga zërat e strukturës së shpenzimeve buxhetore mund të përjashtohen vetëm shërbime për prodhim & transmetim të spoteve, titra, njoftimeve etj. Kjo është lehtësisht e verifikueshme pasi në televizionet kombëtare dhe lokale nuk u transmetuan spote elektorale për zgjedhjet e Kavajës.

(Shikoni vendimin 123 të KQZ-së dhe lidhjen 1 për shpenzimet, në linkun e mëposhtëm: PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË SHPENZIMEVE BUXHETORE TË ZGJEDHJEVE TË PJESSHME PËR KRYETAR TË BASHKISË KAVAJË, TË DATËS 7 MAJ 2017 )

“KQZ pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe dëgjoi diskutimet e përfaqësuesve të partive politike, vendosi miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Kavajë, të datës 7 maj 2017”, thuhet në vendimin e datës 5 prill 2017.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte përgatitur gjithçka për ditën e zgjedhjeve të 7 majit, duke nisur me gjithë bazën materiale; 62.937 ishin fletët e votimit, që u ishin dërguar që më 4 Maj Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 42 në Kavajë; Ishin ngritur 85 komisione të Qendrave të Votimit, dhomat e fshehta, kutitë e votimit, kodet me vula sigurie, mjetet e posaçme për zgjedhësit me aftësi të kufizuar, si edhe çdo material tjetër të nevojshëm për procesin e votimit.

Por, me moszhvillimin e zgjedhjeve u kthye përmbys gjithçka. Ndërsa e sigurt është që të paktën fletët e votimit do të printohen sërish, deri kur KQZ-ja të vendosë për një datë në të ardhmen për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Kavaja është një situatë e paprecedentë. Është një situatë katastrofë e kuptimit kushtetues. I takon shtetit që të gjejë zgjidhje. Duhet të ketë një datë të re zgjedhjesh. KQZ duhet që të deklarojë pavlefshmërinë e një procesi që nuk ndodhi asnjëherë. Procesi kishte kosto sepse u printuan fletët e votimit. Por, për kosto nuk po pyesim më sepse me sa duket janë gjëra të vogla për politikën e papërgjegjshme”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në televizionin “Ora News”, ditën e dështimit të votimit në Kavajë, më 7 maj.

Kjo është ajo çfarë ka prodhuar kriza politike dhe sjelljet e liderëve politikë.

Përveçse nuk po realizohen zgjedhje sipas standardeve evropiane, ngërçi politik po u kushton jo pak qytetarëve shqiptarë, por plot 300 mijë euro.

Bardhi Quku dhe Orest Çipa/Tirana Today

TIRANA TODAY
Te gjitha te drejtat e rezervuara
Kontakt: info@tiranatoday.com
Cel : 00355 69 40 40 005
Denonco: redaksia@tiranatoday.com

©2017 All Rights Reserved