Duke menduar për ujin në Amman

Fakt: Jordania është vendi i katërt më i varfër në botë përsa i përket burimeve të ujit. Ju lutem mos e shpërdoroni!

Pjesa e vjeter e qytetit

Ky shënim që gjendej i varur në muret e tualetit të një hoteli në Amman do të mbetej në mëndjen time për një kohë të gjatë. E ftuar si gazetare në një konferencë të organizuar nga PepsiCo në bashkëpunim me Revolve Water mbi ujin dhe ndikimit që sjell mungesa e tij për herë të parë vizitoja një vend që përballej me një problematik natyror kaq të mprehtë.

Cdo e hapur e rubinetit do të më bënte të mendoja mbi kufizimet që qytetarët e këtij vendi kishin si pasojë e pamjaftueshmërisë së njërit prej elementeve më të rëndësishme të jetës. Cdo rrjedhë e pakët uji aty do të më bënte të reflektoja mbi këtë dhuratë të cmuar të natyrës që ne në Shqipëri e kemi me tepri.

Jordania në 92% të tërritorit të saj është e përbërë nga terrene të thata — gjysmë shkretëtira — në të cilat rrallë ndodh të bjerë shi. Po kështu vendi ndan shumicën e burimeve ujore me fqinjë si Izraeli, Palestina, Siria dhe Iraku dhe konfliket në vite që kanë përfshirë këto vende e bëjnë të vështirë një menaxhim të mirë të këtyre burimeve.

Madje pozicioni gjeografik e ka bërë dhe më të mprehtë problemin e këtij vendi me ujin. E konsideruar si Amerika e Lindjes së Mesme, krizat dhe luftrat e vendeve fqinje kanë sjell flukse të vazhdueshme emigrantësh në Jordani në kërkim të jete më të mirë. Nga afërisht tre milion banorë në vitin 1990 në vitin 2015 popullsia në këtë vend shkoi në 9.5 milion me një tendencë për tu rritur si pasojë e luftës në Siri.

Për të përballur kërkesat në rritje të furnizimit me ujë, autoritetet e vendit në dekadat e fundit kanë shpenzuar miliarda dollarë në projekte inovative për të siguruar ujë. Projektet kanë të bëjnë kryesisht me nxjerrjen e tij nga nëntoka në thellësi të mëdha, me përdorimin e ujit te deteve te Vdekur dhe atij të Kuq pasi i është hequr kripa dhe mineralet. Po kështu trajtimi i ujrave të zëza në mënyrë tejet radikale për të nxjerrë ujë i cili më pas përdoret për ujitje në bujqësi është një fenomen në rritje në Jordani.

Një nga projektet më mbeslënëse që vizitova ishte impianti i trajtimit të ujrave të zeza As Samra, një projekt rreth 100 milion dollarësh i bashkëfinancuar nga fondet zhvillimore të SHBA-së dhe mbretërisë Hashemite, i cili menaxhohej nga sektori privat.

Impianti i trajtimit te ujerave te zeza As Samra ne rrethinat e Ammanit

Impianti pastronte radikalisht ujërat e zeza të 70% të banorëve në këtë vend, të cilat më pas bashkoheshin me lumin Zarqa dhe përdoreshin për ujitje në Luginën e Jordanisë.

Ironikisht, ndërsa kolegët gazetarë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore kishin dhënë kontributin e tyre në raportin vjetor të Revolve Water mbi cështje të mungesës së ujit, unë shkruajta në të për lumin Vjosë dhe planet e qeverisë shqiptare për të përdour këtë ujë të kristalt për të prodhuar energji.

Teksa një pjesë e mirë e botës sot është duke investuar miliarda për ti shpëtuar thatësirës, një vend si Shqipëria është minimalisht shumë larg së kuptuari potencialin e madh që natyra i ka falur përmes bujarisë me ujin.

Shqipëria kërkon të prodhojë sasi të vogla të energjisë elektrike nga lumenjë si Vjosa e Valbona, të cilët janë një minerë e pashfytëzuar turizmi, në një kohë kur pak vende sot në botë kanë fatin të kenë burime të tilla të paprekura natyrore.

Teksa në Amman isha duke reflektuar për këto realitete ndjeva se më e dhimbshme se thatësia natyrore është miopia njerëzore.

Like what you read? Give Fatjona Mejdini a round of applause.

From a quick cheer to a standing ovation, clap to show how much you enjoyed this story.