Spiralja e Tiranës së sëmurë

Sapo është publikuar raporti i gjëndjes së mjedisit për vitin 2016, prej Ministrisë së Mjedist. Në të shkruhet “Tirana vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në rang vendi”. Pak muaj më parë lajmi ishte se Tirana mbetet ndër qytetet më të ndotura në Evropë. 500 vdekje në vit ndodhin në qytet për shkak të ndotjes së lartë pasi nivelet e cilësisë së ajrit për Tiranën janë mbi dy herë më të mëdha se standartet e Cilësisë së Ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Nga shkaktohet kjo ndotje? Ka vetëm një faktor kryesor, dendësia e popullsisë së Tiranës. Ajo tani ka kaluar 15000 banorë për km2, duke qënë rreth 4 herë më e dendur se kryeqytetet e Europës, që variojnë 3–6 mijë banorë për km2. Me planin Tirana 030 miratuar nxitmithi në ditët e fundit të vitit të kaluar është projektuar që qyteti të shkoj nga 1 milion që është sot, në 1.5 milion banorë, pra gjysma e popullsisë së Shqipërisë, në kohën e “krizës klimatike” (sic i quan Al Gore “ndryshimet klimatike”) që është evidente, do jetoj në hapsirën e një qyteti me sipërfaqe sa 0.15 % e sipërfaqes së vendit. Kjo qartazi nwnkupton më shumë emetime gazrash të helmëta nga makinat në rritje, më shumë zhurma, më shumë plehra, për tu cuar nuk dihet se ku, temperatura më të larta prej sasisë në rritje të akumulimit të nxehtësissë prej volumit të betonit, ej.,të shoqëruara këto natyrshëm me rritje të sëmundshmërisë të popullatës.

Dhe ja vjen lajmi tjetër, ne dukje i mirë që, Bashkia e Tiranës ka rritur të ardhurat në tremujorin e parë të vitit 2017 me 2.4 herë në krahasim me vitin e kaluar. Por ky ne fakt është një lajm i keq, kur konstaton që 56% e këtyre të ardhurave vjen nga “taksa mbi ndikimin në infrastrukturë”, që do të thotë se Bashkia fokus kryesor ka dhënien e lejeve të ndërtimit. Këtë 3 mujor tw parë të 2017s ka dhënë 43 leje ndërtimi dhe parashikohet të jepen dhe shumë më tepër në vazhdim të vitit. E duhet pasur parasysh se lejet nuk janë për garazhe, por bëhet fjalë, sic është edhe bërë publike për shumëkatësh, shumëfish të ikonës së ndërtimit më të lartë para 90s “15 katshi”. Këto ndërtime në vijim, që akoma tërheqin njerëz të paguajnë, duke mosditur apo mosbesuar për dëmin e mundshëm shëndetsor në familjet e tyre, të shoqëruara edhe me politika favorizuese, si psh kreditë e buta, apo oferta e bashkisë së Tiranës për të paguar për punësimet e të rinjve nga kompanitë private etj. thellojnë spiralen e Tiranës së sëmurë. Tirana ka të domosdoshme terapinë “0 ndërtime të reja”, terapi që e njohin dhe e kanë rekomanduar në 2012 edhe këshilltarë pranë kryetarit të Qeverisë së sotme.

Nëse shihet në një kënd tjetër, në atë se c’pasojë ka Tirana e stërmadhe në 99.85 % të pjesës së “mbetur” të Shqipërisë mund të thuhet me bindje se rezultantja është se, Shqipëria si e tërë, hyn përsëri në një periudhë dekadash prapambetje, në rastin më të mirë.