Politikë e depersonalizuar apo Personalitete të politizuar?

Formimi i institucioneve që paraqesin integritet është një hap themelor në rrugën për integrim. Të bazuarit e mënyrës së vepruarit të strukturave ekzekutive, gjyqësore, e kështu me rradhë, në një burokraci racionale është një kusht i nevojshëm për një shtet demokratik, ku qeveria zgjidhet me votë popullore e mund të zëvëndësohet rregullisht me votë. E që një strukturë e tillë të jetë e qëndrueshme duhet patur kujdes që figura individuale e një lideri të mos bëhet më thelbësore se sa institucioni vetë. Por a e kemi zhdukur ne plotësisht në Shqipëri, atë që sociologu Max Weber paraqiti si antitezë të lidershipit institucional demokratik, autoritetin karizmatik?
Përpara se t’i pergjigjemi pyetjes së më sipërme le të njihemi më mirë me cfarë mund të quhet autoritet apo lidership i mbështetur në karizëm. E këtu duhet bërë e ditur se po flasim për situata limituese ku karizma është tipari kryesor i një lideri e jo thjesht një tipar plotësues, c’ka mund të jetë fare normale edhe në rastin e një lideri racional tradicional. Një tipar tipik i lidershipit karizmatik është se si ai zgjidhet nga ndjekësit e tij në bazë të bindjes se ai lider ofron aftësi të jashtëzakonshme dhe një karakter i cili le në hije edhe pozicionin të cilin ai lider po merr, por që bën ndjekësit t’i besojnë atij verbërisht. Dicka të tillë ne mund ta shikojmë te një numër politikanësh në Shqipëri, të cilët duket sikur padashje janë ndeshur me politikën gjatë karrierës së tyre; përditë e më shumë shikojmë individë të cilët arrijnë majat në struktura të ndryshme politike edhe pse deri pak kohë më parë politikëbërja ishte inekzistente në CV-të e tyre. Dikush mund të thotë që ky trend është i modës sot duke u bazur në zgjedhjen si president të Donald Trump në Sh.B.A., por ky “incident” që edhe pas 5 muajsh vazhdon të përbëjë lajm pothuajse çdo ditë mund të mos jetë një pikë praktike reference. Vetë Presidenti Trump u shpreh para pak javesh që të jesh president paskësh qenë më e vështirë se ç’e kishte menduar…
Lidershipi karizmatik vazhdon më tej të karakterizohet nga nevoja për të mbajtur ndjekësit e tij të “kënaqur,” ose në fjalë të tjera, të bindur se ai lider është vërtetë me aftësi përtej normales dhe patjetër që mund të marrë përsipër të drejtojë, qoftë edhe kur ka zero eksperiencë për shembull. Në të tillë rast lideri karizmatik ndihet gjithmonë në nevojë për të shtypur çdo kundërshtim apo opinion joparalel me të tijin sepse ndjekësit e tij nuk mund të jenë dëshmitarë të një “kryeneçësie” të tillë ndaj liderit të tyre. Përndryshe edhe ata mund të mendojnë të mos e ndjekin më atë. E pra shembuj të një sjelljeje të tillë kemi me qindra në shoqërinë tonë, ku përjashtimet nga grupimet politike janë të shpeshta e arsyet racionale për të tilla veprime janë jo dhe aq të shpeshta. Për të vazhduar paralelizmin e mësipërm me Presidentin Trump: vetëm pak javë më parë Trump shkarkoi drejtorin e Byrosë Federale të Investigimit, Comey, pa një arsye shumë të qartë, edhe pse ligjërisht shkarkimi qëndron. Gjithsesi edhe pse hapësira për ekuivoke në këtë shkarkim ishte e vogël, në shkallët më të larta të ligjvënies në Sh.B.A. po diskutohet shkarkimi teknik i Presidentit Trump për marrjen e një vendimi arbitrar me qëllim mbrojtjen e integritetit të lidershipit të tij.
Një tjetër tipar qëndror i lidershipit karizmatik është kërkesa me patjetër e fitores duke qenë se ky lider zgjidhet nga ndjekës e jo detyrimisht nga zgjedhës, edhe pse në ditët e sotme kudo zhvillohen zgjedhje “të lira e të ndershme.” Po në qoftë se lideri karizmatik do të zgjidhej nga individë që votojnë në mënyrë racionale për aftësinë profesionale që ai lider sjell në tavolinë atëherë do ishte e pamundur që karizma të ishte tipar themelor i këtij “profesionisti.” Asnjë institucion politikëbërës nuk mund të drejtohet për një kohë të gjatë në një mënyrë proaktive nga një lider që di të ofrojë veç karizëm. Këto shembuj të kërkesës së fitores me çdo kusht, edhe në mënyrë të palogjikshme deri diku, ne i kemi dëshmuar rregullisht në politikën shqiptare, duke filluar nga bëmat e zgjedhjeve të viteve ’90 deri te blerja e drejtpërdrejtë e votës këto vitet e fundit.
Vihet re qartë pra që në vendin tonë ne jemi akoma larg institucioneve që funksionojnë në një mënyrë burokratike racionale e ku politikëbërja është e depersonalizuar. Mungesa e kësaj të fundit është një garanci shumë problematike për ngritjen e strukturave qeverisëse jo në bazë të meritokracisë, ç’ka bie ndesh me ambicjen tonë për një Shqipëri perëndimore ku gjithësecili duhet të ketë mundësinë të jetë “fitues.” Ekzistenca e autoritetit karizmatik dhe mosluftimi i tij është edhe një ndër shkaqet kryesore të mosmbajtjes së premtimeve të dhëna nga një lider. Në fund të fundit ai lider u zgjodh për shkak të aftësive të tij “mbinatyrore,” ndoshta aspak relevante me fushën në fjalë, ndaj lidershipi i tij nuk ka pse varet te performaca e tij… Për sa kohe ne nuk do të mendohemi dy herë para se të bëjmë zgjedhjet tona, për sa kohë ne do të jemi ndjekës e jo zgjedhës, ky fenomen do vazhdojë të ekzistojë në vendin tonë.
Për ta mbyllur dua t’i rikthehem edhe njëherë analogjisë me Sh.B.A.-në, ku një lider fort karizmatik ka marrë mbi vete institucionin më të rëndësishëm, Shtëpinë e Bardhë. Sidoqoftë, ashtu siç thashë edhe më lart, ky nuk është një trend nga i cili duhet marr shembull. Biznesmeni Mark Cuban e quan këtë fenomen në Sh.B.A. një “kimioterapi politike,” diçka që mund të të shërojë por që edhe mund të sjellë vdekjen në rrugë e sipër. E pra kur ne Sh.B.A., vend i cili shihet si mishërim i demokracisë e mentalitetit kapitalist, flitet me nota kaq të vrazhda, imagjinoni se sa më e rëndë duhet të jetë situata në një vend ku deri para 27 vitesh një version i lidershipit karizmatik po shtypte një popull të tërë. Sociologu Eisenstadt e sheh lidershipin karizmatik si një fillim i mundshëm drejt institucionalizimit racional, por në një vend si Shqipëria me precedent akoma të freskët të një regjimi totalitar duhet të jemi pak më kritik ndaj liderve tanë. Depersonalizimi i politikës është një kusht i nevojshëm për ndërtimin e institucioneve me integritet, qëndrueshmëri, e ku merita është e vetmja mënyrë për të ngjitur shkallët e suksesit, një kusht që të gjithë ne duhet ta kërkojmë me ngulm.
