(E shkruar kohë më parë)


Për të gjitha herët qe më keni thënë:

— Ule zërin se je vajzë.

— Mos udhëto vetëm se je vajzë.

— Ky fund është shumë i shkurtër për ty.

— Si vajzë që je duhet me ul kryet ndonjëherë.

— A kujton se mund të ndryshosh botën ti? S’mundesh, se je vajzë.

— Vajzat kanë lindur në shtepi të huaj e shkojnë në shtepi të vet. Vendi jotë është tek burri.

— Për çfarë duhesh nëse s’bëhesh nënë? Nëse s’krijon familje?

— Do të mbash mbiemrin tënd mbas martese? Marrëzi dhe turp.

— Tatuazhet nuk i kanë hije vajzave.

— Djali lahet në një lugë ujë e ti jo.

etj…etj…etj.

Pergjigjja ime është në këtë shkrim.

Këmbët e mia kanë vrapuar me zemër. Unë shkoj aty ku rri lumturia ime, e jo e juaja.

Une kam zgjedhur vëndin. I kam besuar vëndit tim. Gurët e botës s’më kanë vrarë asnjëherë. Nuk e kam quajtur mallkim të qënurit vajzë e sot grua. Jam rrethuar me trupin tim, me bindjet e mia, me guximin tim. Ju kam lënë jashtë, edhe atëherë kur m’keni etiketuar si e egër, e pabindun, e marrë. Sepse unë jam gjithçka që një njeri është . Unë jam stinë në çelje. Gjaku im vlon. Jam ajo që qesh, lodhem, përmbahem, e teproj, bërtas, vetmohem, luftoj, gëzoj e tkurrem.

Jam njeriu i gjithë përmasave e formave.

Nuk kam pse ta valvitë lirinë tim si flamur në qiellin tuaj të vdekur. S’kam pse rrëfehem te asnjëri prej jush. S’kam pse kërkoj ndjesë për rebelizmin tim. S’kam pse ndalem. S’kam pse ekspozohem. S’kam pse ndjek e pranoj sublimisht spektaklin tuaj tragjik. S’kam pse përshtatem kur përshtatja është shpikja e re për të na mbajtur urtë e butë pas hekurave.

U dashka që me heq dorë prej të drejtave të mia sepse Ju e Tradita juaj , keni bërë pakt pas kurrizit tim? Kurrë.

Çdo vajzë meriton që të bëhet gruja që ajo vendos.

Çdo vajzë në botë: shtëpiake, deputete, e papunë a në kulm të karrierës; e zezë apo e bardhë, nënë ose jo, meriton respekt për jetën të cilën ka zgjedhur që të jetë(ngjan apo s’ngjan me ju).

Respekti nuk është zgjedhje. Është i detyrueshëm, jo vetëm për të suksesshmit por edhe për ata që fjalën sukses e zbërthejnë ndryshe.

Suksesi nuk jane diplomat, kontoja në bankë, familja e përsosur. Këto janë zgjedhje (kënaqësi natyrisht) por jo urdhërime.

Suksesi është mos të përkulesh.

Suksesi është të mësosh dashurinë tuaj duke filluar nga vetdashuria.

Mos të shtypesh prej askujt e mos të shtypësh askënd.

Suksesi është me i denjë i vërtetë ndaj të vërtetës. Duke bërë më të mirën që mundesh. Të jesh Njeri, mbi çdo rol tjetër që të ofrohet.

Dita e vajzave është në fakt dita ndërkombëtare e atyre burrave e grave: paragjykues e diskriminues, që janë munduar të na i presin krahët e të na i shkurtojnë rrugët, duke e bërë gjininë tonë peshë nderi.

I kam borxh vetes, lirinë time.