Reklamat së shpejti në faqen kryesore të Facebook Messenger-it

VentureBeat

Me 1.2 miliardë përdorues aktivë mujorë, Facebook Messenger komandon një nga audiencat më të mëdha në planet. Në javët e ardhshme, Facebook Messenger do të fillojë të zgjerojë reklamat në faqen kryesore në mbarë botën. Faqja kryesore e Messenger-it shërben për të listuar bisedat tuaja të fundit me miqtë, robotët e automatizuar ose markat.

Testimi i reklamave në faqen kryesore në Messenger filloi në janar në Australi dhe Tajlandë.

Reklamat në Messenger do të përfshijnë mesazhet e sponsoruara dhe reklamat në kryefaqen e Facebook-ut që përcjellin bisedat e Messenger-it me një robot ose me njerëz. Mesazhet e sponsoruara mund të dërgohen vetëm tek përdoruesit që kanë pasur tashmë një bisedë me një kompani të caktuar.

Versioni beta në Tajlandë dhe Australi dërgoi reklama pothuajse te të gjithë përdoruesit e Messenger-it në këto shtete. Përdoruesit mesatarë të Messenger-it në vendet tjera të botës mund të fillojnë të shohin reklamat në faqen e tyre kryesore nga fundi i vitit, megjithëse koha e ndryshimit nga versioni beta në disponueshmërinë e përgjithshme do të bazohet në mënyrën se si reklamat pranohen nga përdoruesit.

Reklamat në faqen kryesore e afrojnë Messenger-in me qëllimin e tij të lehtësimit të lidhjes së 1.2 miliardë përdoruesve të tij dhe 70 milionë bizneseve në Facebook. Dëshira për t’i lidhur përdoruesit dhe bizneset ka qenë pjesë e strategjisë së Messenger-it prej vitit 2016.

Që nga lansimi i platformës së Messenger-it një vit më parë, Facebook ka pohuar vazhdimisht se: “Shërbimi ndaj klientit po kalon në chat”.

Konkurrenca në këtë hapësirë është rritur ndjeshëm këtë vit. Muajin e kaluar, Apple lansoi Business Chat për të lidhur klientët me bizneset. Ky shërbim i cili do t’i lejojë bizneset të bëjnë shitje ose të vendosin robotë në iMessage, pritet të arrijë me iOS 11 në vjeshtë ose me një version të mëvonshëm të sistemit operativ.

Opsioni për të biseduar me Skype me një biznes në çdo faqe Interneti u bë i
disponueshëm këtë pranverë, ashtu siç ishte opsioni për të përdorur Microsoft
Bot Framework
për publikimin e një roboti në Bing, që shfaqet në rezultatet e
kërkimit. Poashtu, aplikacioni i sapo ridizajnuar i Skype-it përfshin një zonë shumë të ngjashme me atë të zbulimit në Messenger-it që tregon bizneset lokale dhe chat robotët.

Në Twitter, një njësi e re e bisedës me robotë u debutua javët e fundit, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të kompanisë për të ndihmuar bizneset të bisedojnë me klientët.