Lansohet veçoria ‘shared viewing’ për grupet në Facebook

Facebook e ka bërë të qartë se dëshiron t’i bëjë videot pjesë thelbësore të biznesit të tij. Gjatë muajve të fundit, kompania ka lansuar veçori të reja që synojnë t’i bëjnë videot më sociale. Njëra nga to është Watch Party, një mjet eksperimental i prezantuar në janar që i lejon anëtarët e grupeve në Facebook të shikojnë video së bashku dhe në të njëjtën kohë.
Kjo përvojë e përbashkët e shikimit, e cila funksionon me videot e drejtpërdrejta dhe të paracaktuara, fillimisht ishte në dispozicion vetëm për një grup të përzgjedhur përdoruesish, por tani Facebook po e sjell atë për çdo grup në mbarë botën. Watch Party është e përkryer për njerëzit që shikojnë gjëra të tilla si sesionet Q & A dhe udhëzimet për gatim, hartim, rregullim shtëpie dhe më shumë.
Në prill, kompania ka deklaruar se gati dy miliardë njerëz i kishin shikuar transmetimet live në Facebook duke e demonstruar potencialin për veçoritë si Watch Party, veçanërisht pasi përdoruesit që e shikojnë një video së bashku mund të komentojnë ose të shtojnë reaksione dhe emoji në kohë reale.
Kjo veçori nuk do të kufizohet vetëm në grupe. Facebook ka zbuluar se tashmë është duke e testuar atë në profile, ndërsa faqet mund ta marrin atë në të ardhmen e afërt. Suksesi i Twitch ka provuar tashmë se ekziston një audiencë e përkushtuar për t’i shikuar videot në internet me të tjerët, pavarësisht zhanrit.
Për profilet, Watch Party mund të jetë një mënyrë e mirë për të krijuar përvoja të shikimit me miqtë e ngushtë dhe anëtarët e familjes. E njëjta gjë vlen edhe për faqet e markave ose publikimet e lajmeve që duan të shfaqin video rreth lansimit të një produkti ose të drejtojnë një bisedë për një storie të kohëve të fundit. Qëllimi i Facebookut është t’i bëjë përdoruesit të ndërveprojnë me njëri-tjetrin sa më shumë që të jetë e mundur.
Facebook do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion (duke përfshirë inteligjencën artificiale) në mënyrë që Watch Parties të jenë të sigurta për të gjithë.
Po ashtu, kompania do të mbështetet tek administratorët e grupeve dhe përdoruesit e tjerë për të raportuar çdo përmbajtje ose ndërveprim që mund të jetë i dëmshëm, ashtu siç është bërë për çdo video në Facebook Live.
Facebook vazhdon të investojë në sisteme të cilat mund të ndihmojnë në zbulimin e materialit potencialisht të pasigurt në platformën e tij.
