Publikuesit e mëdhenj po zhvendosin entuziazmin nga Snapchati në Instagram
Kompania Snap po ballafaqohet me pyetjet rreth rritjes dhe mbajtjes së përdoruesve, tani që Instagram-i po i kopjon karakteristikat e Snapchat-it. Kjo ka ndikuar që shumë publikues ta zhvendosin entuziazmin e tyre në Instagram.
Hearst dhe botues të tjerë që kanë kanale në seksionin Snapchat’s Discover ende janë të përkushtuar ndaj aplikacionit, duke e konsideruar atë si një mënyrë të rëndësishme për të arritur audiencat e reja dhe për të fituar para nga publikimet.
Por jashtë Discover-it, llogaritë organike u dedikohen individëve që shkëmbejnë mesazhe me miqtë e tyre, jo për publikuesit që të transmetojnë tek përdoruesit.
Basti i Snapchat-it duket të jetë mbajtja e përmbajtjes së publikuesit ndarazi nga funksioni kryesor i mesazheve. Por, publikuesit të cilët kanë burime të kufizuara për t’i vënë në të gjitha platformat, nuk e shohin Snapchat-in si zgjidhjen më të mirë. Instagram-i po rritet jashtë SHBA-ve më shpejtë se Snapchat-i . Disa publikues mendojnë se kjo rritje i ndihmon Instagram-it të ketë më shumë vëmendjen e audiencës së huaj.
Lansimi i Instagram Stories në gusht të vitit 2016 ishte një pikë kthese. Kjo qe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Snapchat Stories. Për dy muaj, Instagram Stories kishte 100 milionë përdorues të përditshëm. Në të njëjtën kohë, Snapchat kishte tremujorin më të ulët të rritjes së përqindjes. Që atëherë, Instagram-i ka kopjuar karakteristika të tjera Snapchat-it, duke përfshirë stikerët dhe mjetin prej-dhe-ngjit (cut-and-paste).
Që nga nëntori, Instagram-i i ka lejuar krijuesit të shtojnë linqe të faqeve të jashtme, duke ua ka plotësuar një dëshirë të gjatë publikuesve. Ndërsa, një funksion i ngjashëm u lansua nga Snapchat-i më 5 korrik. Publikuesit e kanë pëlqyer edhe Instagram-in për video, pasi u lejon atyre të postojnë video që zgjasin deri në një minutë.
Disa publikues ngurrojnë ta braktisin Snapchat-in. PopSugar e ka rritur vëmendjen ndaj Instagram-it, ku tani ka disa llogari dhe pret që Instagram-i si pjesë e Facebook-ut, ta përmirësojë nivelin e të dhënave me të cilat i pajis publikuesit. Sidoqoftë, ata do të vazhdojnë të mirëmbajnë llogarinë në Snapchat dhe do të eksperimentojnë me opsionin e ri të linqeve.
