Erotika në kinematografi — Seksi në kontekstin artistik.
Sqarim: Shkrimi u publikua për herë të parë në Pa Fokus Nëntor
Duke përdorur fuqinë e pashtershme të artit dhe filmit në veçanti, njerëzit janë përpjekur vazhdimisht të sjellin në vëmendje shqetwsimet e tyre të brendshme dhe mendimet e tyre më të thella e të errëta. Shfrytëzues kështu të botës pa limite të artit, një numër i madh regjizorësh dhe krijuesish artistikë kanë sjellë një gamë të gjerë filmash ku kryefjala e tyre është provokimi. Pikërisht kështu ka ndodhur dhe me shumë filma të cilët përpiqen të sjellin qasje të ndryshme, normale ose jo, të erotikës, seksit dhe fiksimit njerëzor. Disa nga instiktet më të hershme njerëzore kanë qenë gjithmonë në kontrast me atë ç’ka besohet të jetë normale apo e pranueshme në shoqëri, duke krijuar kështu mjaft vatra kundërshtimi dhe reagimesh.
The Dreamers (Bernardo Bertolucci; 2003) Historia fillon në vitin 1968 me pushimin nga puna të Henri Langlois, themeluesin e kinotekës franceze në atë periudhë. Në një protestë, Matthew, personazhi kryesor, takohet në kinema me Isabelle dhe vëllain e saj binjak Theo. Ndërsa revolucioni shkreton jashtë, tre të rinjtë qëndrojnë në banesën e tyre duke luajtur lojëra dekadente seksuale. Bertolucci përfshin klipe nga filmat klasikë duke i pasqyruar si muzë e të rinjve. Një nga dramat erotike më të spikatura kinematografike sjell një këndveshtrim ndryshe ndaj motiveve të jetës, në Parisin e revoltuar si kurrë më parë. Një krijim totalisht i përkushtuar rinisë dhe pasionit, ëndërrave të pafundme të kërcënuara nga trazirat sociale dhe revolucionit të mendimit. Shikuesi përfshihet në një ndjesi disi të çuditshme e të ngrohtë, kundrejt skenave seksuale në ndërthurje me fotografine e përkryer. Regjizori italian Bertolucci arrin të përçojë gjithashtu dhe mesazhet e tij personale ndaj politikës dhe seksit, duke i përfshirë si detaje të parëndësishme në dialogje rutinë ndërmjet personazhesh, por në të njejtën kohë duke i mishëruar si shtylla logjike e filmit.

Foto: Bill Strain (Flickr)
Jules et Jim (Francois Truffaut; 1962) Nuk mund të lihej pa përmendur dhe vlerësuar një nga klasikët e regjizorit te famshëm francez, François Truffaut. Një melodramë e pavdekshme feston dashurinë në të gjithë format e saj duke na pasqyruar një realitet po aq të trishtë e humoristik, me një manifestim protestues ndaj rrjedhës normale të së përditshmes dhe koncepteve sociale. Asgjë nuk mund të trondisë botëkuptimin e veçantë të personazheve tona, duke na sjellë në vëmendje kështu instiktin bazik njerëzor për t’i dhënë kuptim e vlerë jetës sipas menyrës tonë. Vendosur në periudhën kohore ndërmjet viteve 1912–1933, gjermani Jules dhe francezi Xhim ndërsa kalonin pushimet e tyre në Greqi, bien në dashuri me buzëqeshjen e një fytyre në një skulpturë. Me t’u kthyer në Paris, buzëqeshja vjen në jetë në personazhin e Katerinës. Tre individë, bëhen shokë të pandashëm, të përkushtuar ndaj jetës së tyre pavarësisht luftës botërore në atë kohë. ”Jules et Jim” shpesh shihet si një ithtar i kinematografisë së lëvizjes së lirë të dashurisë, por në fakt është një deklaratë kundër një mënyre të tillë të jetës.

Foto: Re. Sch. (Flickr)
In The Realm Of Senses (Nagisa Oshima, 1993) Bazuar mbi një incident të vërtetë në 1930 në Japoni, një kryevepër artistike nga Nagisa Oshima i jep fund vijës kufitare mes pornografisë dhe artit. Një rrjedhë ngjarjesh provokuese, bashkuar me një grafikë seksuale të ekzagjeruar, mishërohen në një provokim artistik duke përmbushur kështu qëllimet primare të këtij krijimi: ofendim, revoltë, reagim, irritim si dhe magjepsje nga ana e audiencës. Limitet seksuale janë inekzistente në personazhet e filmit, si dhe bota e tyre është aq intime dhe private sa shumë herë përjashton edhe vetë shikuesin.

Foto: Argos Films (Wikimedia)
Blue Is The Warmest Color ( Abdellatif Kechiche; 2013) Filmi flet për një vajzë 15 -vjeçare me emrin Adele, e cila përjeton dashurinë e saj të parë, duke u përballur me paradokset adoleshente, ëndrrat e saj dhe botën e magjishme të të përjetuarit çdo gjë për herë të parë. Një film po aq kompleks dhe aq i detajuar, i cili me një regjizurë të shkëlqyer arriti të merrte vëmendjen e merituar nga publiku dhe kritikët e filmit. Frika dhe rreziku i vetë dashurisë, eksplorimi seksual dhe gjykimi social, stolisin botën e komplikuar dhe delikate të personazheve tonë. Nëpërmjet bukurisë artistike arrin të përfshijë audiencën në një mënyrë autentike.

Foto: LisaThatcher (Wikimedia)
Shame (Steve McQueen; 2011) Brandon është një banor i New York-ut i cili shmang intimitetet me femrat, por ushqen dëshirat e tij të një varësie të sëmurë ndaj seksit. Kur motra e tij kokëfortë shkon në banesën e tij për të nxitur kujtimet e së kaluarës së tyre të përbashkët e të dhimbshme, jeta e Brandon humbet kontrollin. Një përqasje ndaj seksit, krejt ndryshe nga filmat e lartpërmëndur, Shame mbetet një krijim artistik kontroversal i cili përpiqet të pasqyrojë në mënyrën më të drejtë anët e errëta të obsesionit dhe pasionit. Një studim i hollësishëm i karakterit të njeriut në situata e rrethana të padëshirueshme. Përpjekjet për të tronditur sado pak themelet e mendimit besoj janë gjithmonë për t’u përshëndetur e vlerësuar, aq më tepër kur ato shpalosen në forma artistike të arrira. Nga një pafundësi filmash, ju sollëm në vëmëndje pesë prej tyre, të periudhave të ndryshme kinematografike të cilët në mënyrën e tyre kanë prekur aspekte të ndryshme të erotikës, por në të njejtën kohë ju ftojmë ju lexuesve të sugjeroni e të risillni në kujtesë filmat që ju i konsideroni si qajse artistike të arrrira ndaj seksit.

Foto: Thefilmstage (Wikimedia)
You must be logged in to participate in this survey
Shkroi: Virna Harri
This work, unless otherwise expressly stated, is licensed under a Creative Commons Attribution-NonCommercial-ShareAlike 4.0 International License.
Originally published at pafokus.com on November 14, 2014.