Gripi tek foshnjet: të njohim simptomat dhe këshilla për kurimin e tij

Ndryshimi i stinës sjell me vete edhe një mundësi që të sëmuremi me grip. Por ndërkohë që për të rriturit gjithçka kalon lehtë, me fëmijët duhet të jemi më të kujdesshëm, veçanërisht në vitin e tyre të parë të jetës.

Në këtë fazë të jetës, sistemi i tyre imunitar është ende duke u zhvilluar, ndaj dhe janë më të ekspozuar ndaj gripit dhe sëmundjeve të ndryshme. Këshilla personale është që kur një i rritur sëmuret, të mbahen maska që blihen lehtësisht në farmaci pikërisht për të shmangur që gripin të ia kalojmë foshnjes. Kur vajza nuk kishte mbushur ende 1 vjeç, unë jam sëmurur dy herë me grip, dhe të dyja ato herë i kam dhënë gji me maskë në fytyrë. Dukesha çuditshëm për të gjithë personat që vinin për vizitë në shtëpi, por pak rëndësi kishte për mua apo bashkëshortin: fatmirësisht kjo masë mjaftoi që të paktën vitin e parë vajza të mos sëmurej asnjëherë.

Megjithatë, ndonjëherë të gjitha sforcimet tona për të mbrojtur foshnjen nga gripi nuk mjaftojnë: në muajt më të ftohtë ose në ndërrimin e stinëve, foshnja mund të sëmuret nga 4 deri në 10 herë gjatë vitit të parë të jetës. Është faza ku ata prekin çdo gjë, eksplorojnë dhe fusin gjithçka në gojë, pra edhe baktere të ndryshme.

Meqënëse në vitin e parë të jetës foshnja nuk duhet të marrë ilaçe, edhe një grip i thjeshtë mund të transformohet në një moment të vështirë për t’u kaluar. Instikti natyral i foshnjes është të marrë frymë me hundë, ndaj kur kjo është e bllokuar shpesh foshnja ka vështirësi të ushqehet dhe bëhet më e grindur.

Megjithëse gripi nuk është një rrezik i madh për shëndetin, mund të marrim disa masa që të kalojë pa pasoja të rënda, të cilat mund të jenë otiti (dhimbje e veshit) ose pneumonia. Mbi të gjitha duhet të rikthejmë oreksin dhe të ndihmojmë foshnjen të flejë i qetë.

SIMPTOMAT

Simptomat tipike të gripit janë:

· Bllokim i hundëve/ rrjedhje hundësh

· Sekrecione të tejdukshme që kullojnë dhe që me kalimin e kohës mund të bëhen të verdha/jeshile, dhe që në fazën përfundimtare të gripit duhet të kthehen të tejdukshme

· Në ditët e para mund të ketë edhe temperaturë, megjithëse jo e lartë

· Tështima, kollë, zë i ngjirur

· Sytë e kuq

Mund të jetë alergji nëse kemi:

· Kruarje sysh, lotë

· Tështima të shpeshta

· Kruarje të përgjithshme

· Sekrecione të tejdukshme

· Mungesë temperature

Gripi përgjithësisht nuk ka pasoja të rënda, megjithatë duhet të shkojmë menjëherë tek mjeku nëse:

· Foshnja është më e vogël se 3 muajshe dhe temperatura është e njëjtë ose më e lartë se 37,5 °C

· Simptomat e gripit nuk largohen pas një jave

· Kolla përkeqësohet dhe fëmija fishkëllen gjatë frymëmarrjes ose ka vështirësi të mbushet me frymë

· Buzët mavijosen

· Fëmija tërheq ose prek veshët shpesh

KËSHILLA

Nëse nuk ju a ka dhënë mjeku, foshnjes nuk i duhen dhënë ilaçe. Por ne mund të marrim disa masa të cilat e ndihmojnë foshnjen të kalojë fazën e gripit më lehtësisht. Ja cilat janë ato:

· Të pastrojmë hundët: ka disa pompa të posaçme në farmaci të cilat ndihmojnë prindërit të thithin sekrecionet nga hundët e foshnjave. Nëse thithja me këtë pompë nuk mjafton, ose sekrecionet janë të trasha, këshillohet të hidhen pak pika ujë fiziologjik në sejcilën prej vrimave të hundës të foshnjes, dhe më pas të procedohet me thithjen me pompë. Vajzës unë kam vazhduar të ia tërheq në këtë mënyrë edhe më gjatë se në vitin e parë. Ishte një betejë sa herë duhej bërë ky operacion, por ishte në të mirën e saj, dhe herë përpara televizorit, herë duke i tërhequr vëmendjen me diçka tjetër, kjo gjë bëhej disa herë në ditë. Sa më shpesh të bëhet, aq më i shpejtë është shërimi.

· Jepini ujë: Lëngjet janë shumë të rëndësishme edhe për të rriturit kur jemi sëmurë, por bëhen akoma më të rëndësishme për foshnjet. Të sigurohemi pra që foshnja po hidratohet sa duhet. Për fëmijët që ushqehen me gji, do të ishte mirë t’u jepej sa më shpesh të jetë e mundur, sepse së bashku me lëngjet, qumështi i gjirit është i pasur edhe me antikorpe, si dhe në të njëjtën kohë qetëson foshnjen.

· Të rrisim lagështirën në ambient: Është shumë mirë që foshnja të qëndrojë në një ambient të mbushur me avull. Kjo mund të arrihet duke lënë ujin e nxehtë të dushit apo vaskës të rrjedhë deri kur banjo të mbushet me avull. Foshnja duhet të qëndrojë në këtë ambient të paktën 15 minuta. Kjo ndihmon edhe në zhbllokimin e hundëve. Një mënyrë tjetër për të krijuar avull, është të blini një pajisje që e prodhon. Në treg ka disa, unë kam provuar edhe atë mekanike dhe në fund zgjodha një me ultratinguj. Personalisht më pëlqen shumë, sepse jo vetëm mbush dhomën me avull të ngrohtë ose të ftohtë (mund të zgjidhet vetë) por ka edhe një termometër që mat temperaturën e dhomës si dhe mat nivelin e lagështirës në dhomë, duke u fikur vetë sa herë arrihet ai nivel. Niveli i lagështirës duhet të jetë rreth 40% në dimër me një temperaturë dhome 20°C dhe 55–60% në verë. Kur fëmija është me grip, ky nivel duhet të jetë 65–70%. Pajisjen e kam vendosur në dhomën e vajzës dhe është ndezur sa herë ka qënë me grip: avulli që kjo pajisje lëshon e ndihmon të zbusë dhe shkrijë sekrecionet. Fakti që punon me ultratinguj më garanton që gjumi i vajzës nuk do të shqetësohet prej pajisjes.

Pajisja me ultratinguj që lëshon avull (Miniland Baby — Umidificator Humi Plus)

· T’i ngrejmë kokën foshnjës kur fle: Vendosni një jastëk poshtë dyshekut (jo direkt tek koka!) në mënyrë që koka të jetë më e ngritur kur fëmija fle. Në këtë mënyrë ndihmojmë që sekrecionet të kullojnë.

· Aerosol me ujë fiziologjik: një tjetër pajisje që kam blerë sapo linda vajzën është aparati i aerosolit me ultratinguj. Është një aparat i vogël, por që më ka ndihmuar në plot raste: kur vazja ishte e vogël dhe ishte vështirë të bindej të bënte aerosol, kjo pajisje e vogël më lejonte ta mbaja në dorë dhe ta vendosja pranë hundës së vajzës ndërkohë që ajo flinte. Aerosoli me ujin fiziologjik ndihmon në shkrirjen e sekrecioneve. Por kujdes: duhet përdorur eskluzivisht me ujë fiziologjik, me asnjë ilaç apo substancë tjetër!

Aerosol (Laica MD6026 inhalator)

Nëse keni dyshime mbi mbarëvajtjen e gripit, mos hezitoni të kontaktoni mjekun pediatër: simptomat e një pneumonie dhe ndërlikimeve të tjera në fazën e parë janë shumë të ngjashme me ato të gripit, dhe kurimi i tyre në fazë të hershme lejon një shërim më të shpejtë të sëmundjes.

Nëse ju pëlqeu ky artikull, mos hezitoni ta ndani atë me nëna të tjera!

Like what you read? Give Voltisa Xhokaxhiu a round of applause.

From a quick cheer to a standing ovation, clap to show how much you enjoyed this story.