“Terrible twos”: kapriçot tek fëmijët - si t’i kuptojmë dhe të reagojmë

“Dy vitet e tmerrshme” ose ajo që anglisht quhet “terrible twos” është një fazë e rritjes mëse normale, një prej etapave të detyrueshme të zhvillimit të cilat çojnë drejt pavarësisë, dhe koinçidojnë me atë fazë ku fëmija kupton dhe zbulon që është një individ i ndarë nga nëna dhe babai dhe ka një personalitet të tijin.

Është faza e Jo-ve që fëmija kalon nga mosha 18 muajsh deri në 3 vjeç, fazë në të cilën bëhet kokëfortë dhe kapriçoz: shpesh shfaq kriza të qarash të pandalueshme, të cilat ne si prindër kemi tendencën t’i lexojmë si “sfida të pushtetit”, por që në të vërtetë janë thjesht përfytyrimi i kalimit evolutiv që fëmija po përshkon.

Është ndarja e parë dhe shumë e rëndësishme që fëmija merr nga “caregiver”, pra nga personi që deri në atë moment është përkujdesur për të dhe me të cilin fëmija ka krijuar një lidhje të fortë.

Përse ndodh?

Në fakt, fjala JO është i vetmi instrument që fëmija ka në dispozicion për të konfimuar që ai/ajo është ndryshe nga mami dhe babi — për këtë arsye pra, të mos habitemi nëse do të përdoret pafundësisht! — , për të provuar lirinë e tij/saj dhe për të treguar pavarësinë që sapo ka zbuluar.

Në këtë mënyrë fëmija po tregon dëshirën për pavarësi: rreth moshës 2 vjeç, fëmija fillon të formojë karakterin. Vetë fëmija është i paqartë mbi personalitetin e ri dhe mbi mënyrën si duhen jetuar këto emocione, dhe ka tendencën të kthehet pranë folesë dhe personit me të cilin ka krijuar lidhjen e fortë, për të rifituar besim në eksplorimin e botës dhe të vetvetes.

Për këtë arsye, fjala JO përfaqëson edhe frikërat dhe pasiguritë. Fakti që fëmija po futet në një botë të panjohur e bën atë të lëkundet midis ndjenjës shumë të fortë të eksplorimit dhe frikës ndaj të panjohurës. Dhe është pikërisht nëpërmjet JO-ve që fëmija shpreh këtë dyzim: “po rritem, dua ta bëj vetë këtë” dhe “kam ende nevojë për praninë tënde dhe drejtimit tënd”.

Gjithashtu, në këtë moshë fëmijët shpesh nuk kuptojnë akoma çfarë kërkojnë ose nuk dinë si të shprehin dëshirat e tyre: më shpejt veprojnë se sa i tregojnë, dhe si rrjedhojë nëse nuk i kuptojmë e humbin durimin dhe nxehen.

Reagimet e ekzagjeruara dhe kapriçot që karakterizojnë “dy vitet e tmerrshme”, nuk kanë pra qëllimin për të mërzitur prindërit: fëmija po zbulon vetëm në këtë moment që jo gjithçka shkon si dëshiron dhe, me të drejtë, kjo shkakton tek fëmija emocione që ende nuk arrin t’i kontrollojë. Kjo fazë është si një palestër e rëndësishme ku fëmija stërvitet për të mësuar të kanalizojë mërzitjet dhe zemërimin: do t’i duhet kohë të mësojë këtë dhe për këtë arsye duhet të tregohemi të durueshëm dhe të mos nxitohemi.

Ndonjëherë si prindër nuk dimë si të sillemi gjatë kësaj faze dhe, si pasojë, disa prej nesh mbajnë qëndrime shumë të rrepta ndërsa të tjerë kanë pritshmëri shumë të larta ndaj sjelljes së fëmijës.

Çfarë duhet të bëj për t’i “mbijetuar” kësaj faze?

Për t’i mbijetuar kësaj faze, shumë të rëndësishme për fëmijën por njëkohësisht edhe shumë të lodhshme për ne si prindër, duhet të njohim mirë se çfarë realisht po ndodh me fëmijën tonë dhe të ndjekim disa këshilla praktike.

Vendos disa rregulla të qarta

Nuk mund të mbingarkojmë fëmijën tonë me ndalime, ndryshe do të konfondohej. Nëse gjithçka që bën ndiqet nga një JO, asnjë prej këtyre JO-ve nuk do të ketë rëndësi: fëmija nuk do mund të bëjë dot dallimin midis asaj që realisht nuk duhet bërë dhe diçkaje të parëndësishme.

Gjithashtu, nëse fëmija bllokohet ose kufizohet shpesh, do të ndjehet i privuar dhe do të ketë tendencën ose të bindet por pa e kuptuar rregullin ose të mos e pranojë me sjellje kundërshtuese.

Është e rëndësishme pra që të seleksionohen vetëm pak gjëra që fëmija nuk mund të bëjë, ato që realisht kanë rëndësi, dhe të mbahen gjithmonë edhe nëse ato krijojnë konflikte. Mbi këto gjëra duhet thënë një JO e prerë, e vendosur, pa tolerim. Në këtë fushë hynë edhe rregullat që kanë të bëjnë me sigurinë (të luash me prizat e korentit, të udhëtosh në makinë në karriken e bebit, të mos kacavirresh) dhe ato që kanë lidhje me angazhimet gjatë ditës (të shkosh në kopësht/çerdhe, të lahesh, të flesh).

Në rastet e tjera, kur do duhet të përgjgijemi negativisht një kërkese, mund të përdorim fjalë si “më vjen keq, por nuk është e mundur” duke dhënë edhe një arsye përse nuk mundet në varësi të nivelit të kuptimit të moshës.

Flisni për ndjenjat, emocionet

Shpesh fjala JO është treguese e pamundësisë për të komunikuar ndjenja dhe përjetësime. Një fëmijë 2 vjeç, nuk ka mësuar ende të shprehë me fjalë ndjenjat e veta. Për këtë arsye ne si prindër duhet të bëhemi “zëri” dhe të përkthejmë çka fëmija nuk mund të komunikojë, duke i dhënë një emër zemërimit, frikës, zhgënjimit. Në këtë mënyrë edhe fëmija do të mësojë t’i njohë dhe dalë nga dalë edhe t’i zotërojë.

Fëmija jo vetëm ka nevojë të kuptojë botën e tij të brendshme, por ka nevojë edhe të kuptojë që sjellja e tij/saj ka një impakt emotiv tek të tjerët. Duke e ndihmuar në këtë fazë njohje të ndjenjave, është shumë e rëndësishme të shprehim mospëlqimin tonë ndaj sjelljeve të fëmijës, jo ndaj vetë fëmijës: duhet të shmangim kështu t’i themi fëmijës “je fëmijë i keq!” dhe më mirë do të ishte të inkurajonim sjellje pozitive më shumë se të ndëshkonim ato negative.

Së fundmi, nëse fëmija sillet keq, duhet t’i mësojmë vlerën e të kërkuarit “falje”. Nëse nuk arrin të kërkojë falje me fjalë, mund ta bëjë këtë edhe nëprmjet një përqafimi, një puthje, një shtrëngim dore, një përkëdhelje: janë të gjithë gjeste që shpesh shkrijnë të gjithë mërzitjen e grumbulluar dhe e bëjnë fëmijën të ndjehet i kuptuar dhe i ngushëlluar.

Të jepen dy alternativa

Fëmijët duhet të mësojnë të zgjedhin, ndaj për këtë arsye është e rëndësishme që atyre t’u jepen gjithmonë dy alternativa të vlefshme për ne prindërit: mundet për shembull t’i themi “dëshiron të lahesh në vaskë apo do të bësh dush?” dhe në këtë mënyrë do të shmangim JO-të dhe do të stimulojmë marrjen e vendimit në autonomi dhe bashkëpunim.

Lërini kohën dhe hapësirën për të eksploruar dhe për t’u rritur

Të ndalojmë fëmijën tonë të eksplorojë botën përreth, do të ketë si efekt të vetëm atë të mërzitjes dhe të rritjes së nervozizmit tek ai/ajo. Brënda limiteve të sigurisë së fëmijës, duhet ta lëmë të lirë të eksperimentojë, duke u munduar edhe të mos kemi shumë pritshmëri ndaj tij/saj. Ashtu si thonte edhe Maria Montessori, duke ju referuar rolit të mësueses, është shumë e rëndësishme që i rrituri të drejtojë fëmijën, pa e bërë të ndjejë shumë praninë e tij në mënyrë që të ketë gjithmonë mundësi t’i ofrojë ndihmën e duhur, por pa u bërë asnjëherë pengesa midis fëmijës dhe eksperiencës së tij.

Vetëm nëse fëmija do të ndjehet i/e lirë të zgjedhë do të bëjë gjërat e duhura në kohën e duhur, do të lëvizë, do të flasë, do të socializojë kur të jetë i gatshëm ta bëjë këtë. Detyra jonë është të krijojmë situatat për ta nxitur, të kujdesemi për të, ta shoqërojmë në fazën e rritjes duke i dhënë kohën e duhur për të eksploruar, për të kuptuar, pa e zëvendësuar.

Publikuar nga: Daniela Zacchi në revistën Spazio-psicologia

Daniela është psikologe dhe këshilluese për familjen.

One clap, two clap, three clap, forty?

By clapping more or less, you can signal to us which stories really stand out.