Ushqimi: një faktor kyç kundër kapsllëkut të fëmijëve

E kemi kaluar të paktën një herë: shumë nëna herët ose vonë e kanë hasur këtë problem dhe për disa prej tyre ka qenë një makth i vërtetë. Për çfarë po flas? Për kapsllëkun e fëmijëve. Duket pothuajse si një fazë “e detyrueshme” në jetën e fëmijës, ndaj të dashura nëna armatosuni me shumë durim dhe të mundohemi të marrim masat që ajo fazë të kalojë sa më lehtë.

Personalisht me vajzën e hasa relativisht herët këtë fenomen: ishte vetëm 2 muajshe e pak ditë kur u paraqitëm në pediatrinë e spitalit për një klizëm pasi ishin 7 ditë që vajza nuk dilte jashtë. Ushqehej vetëm me qumësht gjiri, ndaj sipas të gjitha studimeve nuk duhej të vuante nga kapsllëku, por ja që ndodhi. Nuk vlejti këshilla që të pija akoma më shumë lëngje (4–5 litra në ditë!), dhe nëse nga njëra anë të gjithë ishim të lumtur që vajza shtonte mesatarisht 400gr në javë, nga ana tjetër filluam të mësoheshim të modifikoja dietën time dhe me mikroklizmat e glicerinës. Gjërat ndryshuan disi kur filloi në moshën 4 muajshe e gjysëm me puretë e kumbullës, por u rikthye fuqishëm sapo hoqi panolinën.

Por çfarë është kapsllëku? Flitet për një gjendje të tillë kur fëmija ka mbi dy javë që del jashtë rrallë, ose me dhimbje ose evakuimi nuk është i mjaftueshëm. Shpesh është një problem funksional, pra i lidhur me ushqyerjen ose me ndryshimet e zakoneve. Për vajzën time heqja e panolinës ishte shkaku i një kapsllëku që zgjati pothuajse një vit. Po, po, kjo fazë në varësi të fëmijës mund të zgjasë edhe 1 vit të tërë. Pasi mora të gjitha masat që vajza të ushqehej si duhej për të trajtuar gjendjen e kapsllëkut, pasi u bënë të gjitha vizitat mjekësore për të përjashtuar probleme fizike, në bashkëpunim të ngushtë me pediatrin arritëm në përfundimin që tashmë bllokimi ishte psikologjik, një bllokim akoma më i fortë se ai fizik. Si shumë fëmijë të tjerë në të njëtën gjendje, edhe vajza ime lidhte evakuimin me dhimbjen, dhe në mënyrë të pavetëdijshme e shtynte atë moment sa më shumë të mundej duke krijuar kështu një rreth vicioz kapsllëk-dhimbje-kapsllëk.

Sipas Shoqatës së Gastroenterologjisë Hepatologjisë dhe Ushqyerjes për fëmijët në Amerikën e Veriut (NASPGHAN) frekuenca e daljeve jashtë në javë për fëmijët mund të përmblidhet:

- nga 0 -> 3 muaj i ushqyer me gji: 5 deri në 40 herë në javë

- nga 0 -> 3 muaj qumësht artificial: 5 deri në 28 herë në javë

- nga 6 -> 12 muaj: 5 deri në 28 herë në javë

- nga 1 -> 3 vjeç: 4 deri në 21 herë në javë

- > 3 vjeç: 3 deri në 14 herë në javë

Megjithatë kjo realisht varet nga fëmija, ndaj këto të dhëna duhet të merren thjesht si treguese. Nëse shihni, një fëmijë i ushqyer me gji duhet të dalë jashtë më shpesh se një fëmijë i ushqyer me qumësht artificial, ndërsa me vajzën time (dhe ndoshta edhe me plot fëmijë të tjerë) ndodhi pikërisht e kundërta.

Si prindër gjithçka mund dhe duhet të bëjmë është të kujdesemi që të përjashtohen të gjitha kauzat organike dhe të ndihmojmë rikthimin e ritmeve normale të fëmijës nëpërmjet ushqimit.

USHQIME ME TË CILAT DUHET TË KEMI KUJDES ME SASINË (mundësisht të shmangen)

● Lëngje me sheqer si: cola, uji tonic, caji i ftohte, por edhe lëngjet e frutave të cilat edhe pse shkruajnë “pa sheqer” shpesh kanë përmbajtje të lartë të tij

● Ëmbëlsirat, të të gjitha formave dhe shijeve, biskotat, budingje, karamele, brioshe…

● Kripa: është mirë të reduktohet përdorimi dhe të shmangen ushqimet me sasi të larta të kripës (ushqimet e konservuara, galetat për supë, salsa të veçanta si ajo e sojës). Sasia e kripës duhet të jetë e moderuar jo vetëm për fëmijët por për të gjithë familjen.

● Çaji dhe çokollata. Për vajzën kjo ka qene besoj sakrifica më e madhe. Nuk ishte e lehtë të ia mohoje, por shpesh edhe thjesht përmendja e dhimbjes gjatë evakuimit nëse hante çokollatë funksionoi mjaft mirë për ta mbajtur larg.

● Bananet dhe limonat

USHQIME TË LEJUARA DHE TË KËSHILLUESHME

● Drithërat integrale duhen preferuar nga ato të përpunuara. Tashmë gjenden edhe në formën e bukës ose makaronave.

● Fruta: të pasura me fibra, janë një ndihmë e madhe për aparatin tretës, sidomos kur konsumohen të freskëta në mëngjes. Preferoni dardha, kiwi, fiq, kumbulla, kajsi, pjeshka, hurma, shalqi dhe pjepër. Mund të jepen edhe në formën e kompostove ose pureve.

● Frutat e thata: edhe këto të pasura me fibra, janë një aleat i vlefshëm kundër kapsllëkut. Së bashku me frutat e freskëta mund të serviren si sallatë frutash. Të mrekullueshme janë kumbullat e thata, sigurisht nuk do të jetë kështu për të gjithë por vajza ime i adhuronte! Janë të pasura me vitamina A dhe potasium.

● Legumet: fasule, thierza, bizele, qiqra. Mund të konsumohen edhe të bluara në formë kremi ose pure.

● Perimet: të pasura me fibra, janë ideale për t’i konsumuar të gjalla ose të gatuara në supra ose kremra. Preferoni kungullin jeshil, lakrat, perimet me gjethe jeshile (spinaq, çikorie, etj.)

● Kosi: i jashtëzakonshëm, nuk duhet hequr konsumi i tij të paktën një herë në ditë. Ndihmon florën bakteriale të aparatit tretës, është një aleat shumë i vlefshëm kundër kapsllëkut. Mund të konsumohet në mëngjes me drithëra ose ndërmjet vakteve.

● Djathrat e freskët ose të stazhonuar si për shembull ai i Grana Padano DOP i cili është shumë i mirë edhe në zëvendësimin e kripës në supra dhe kremra perimesh të ndryshme. Konsumi i tij rrit sasinë e proteinave gjatë vakteve dhe ndihmon në arritjen e sasisë ditore të kalçiumit.

● Kokoshka: ky është një lajm i mirë për fëmijët, të cilët këtë pjesë do ta adhurojnë! Por kujdes, duhet të jenë kokoshka të pregatitura në shtëpi, pa shtesë kripe. Nuk duhet absolutisht të jenë kokoshka të gatshme ose për pregatitje në mikrovalë. Blini kokrrat e misrit për kokoshka, në një tenxhere që nuk ngjit hidhni shumë pak vaj, vendosini kapakun e qelqtë dhe lëreni festën të fillojë!!

● Vaji ekstra i virgjër i ullirit: duhet konsumuar i gjallë (unë ia hedh në pjatë pasi ka përfunduar gatimi) por gjithnjë të tregohemi të kujdesshëm me sasinë. Për fëmijët deri në 3 vjeç sugjerohen 2 lugë kafeje për vakt, sasi që do të ulet me kalimin e viteve.

● Ujë: i fundit por më i rëndësishmi nga të gjithë! Hidratimi i duhur është thelbësor në trajtimin e kapsllëkut. Mbani gjithmonë një shishe me ujë kudo ndodheni dhe jepini të pijë fëmijës disa gllënka edhe nëse nuk ka etje.

Pasi janë marrë të gjitha këto masa, duhet t’i qëndrojmë fëmijës pranë dhe ta qetësojmë sa më shumë të jetë e mundur. Shumë rëndësi ka edhe aktiviteti fizik, ndaj të mundohemi të mbajmë fëmijën sa më shumë larg televizorit apo ekraneve elektronike dhe të stimulojmë lojërat dhe aktivitetet në ajër të hapur.

KËSHILLA PRAKTIKE

● Mëngjesi mund të jetë shumë i thjeshtë por i plotë: kos, drithëra integrale (mund të jetë bukë ose biskota), fruta të freskëta ose të thata

● Ndërmjet mëngjesit dhe drekës fëmija duhet të konsumojë një frut të freskët ose një kos, të mos i mësojmë me ushqime të gatshme si molto apo patatina.

Këshillat që jepen në këtë artikull duhet të merren vetem si treguese, pasi çdo fëmijë ka egzigjencat e tij dhe për këtë duhet të konsultoheni me pediatrin i cili njeh edhe historikun mjekësor të fëmijës.

Artikulli u bazua në këshillat e:

Dr. Cinzia Baldo, dietiste ICP P.O Buzzi Milano

Dr. Maria Letizia Petroni, mjeke nutricioniste

Dr. Laura Iorio, mjeke specialiste në Shkenca të Ushqimit

Eksperiencë personale

Show your support

Clapping shows how much you appreciated Voltisa Xhokaxhiu’s story.