“Ngjarja që mund të përshkallëzojë situatën në jug të Shqipërisë”

Nga Xhildinho Ozuni

Pas më shumë se një javë nga ekzekutimi i terroristit grek të MAVI-t Kostantinos Kaçifa, grekët, tashmë e shohin këtë ngjarje, për të bërë realitet ëndrrën e tyre, të kërkojnë autonomi të jugut të Shqipërisë.

Pas ekspertizës mjeko-ligjore në Tiranë, trupi i ekstremistit grek K. Kaçifa ka mbërritur në Bularat, ku nesër do të zhvillohet edhe ceremonia mortore. Skandali i radhës është se për shpenzimet e kësaj ceremonie ka menduar bashkia e Dropullit, të nderojë një terrorist si të ISIS-it.

Në tërë këto ditë, ato që kanë ndezur ‘gjakrat’ mes dy popujve, janë mediat greke, që kurrë nuk e kanë transmetuar të vërtetën e ngjarjes. Shtjellimi i ngjarjes nga mediat greke ka ngjyrime tipike nacionaliste, i mbështetur fuqimisht edhe nga nazistët e Agimit të Artë, duke eklipsuar qëllimisht të vërtetën.

Ky version i këtij falsiteti të ngjarjes ngre pozitat e Agimit të Artë në sistemin politik grek dhe zbeh qeverinë aktuale të Tsiprasit. Prandaj, mediat greke nxisin partitë ekstremit të djathtë, të ndërmarrin një ‘ofensivë’ në jugun e Shqipërisë, për ta destabilizuar atë, në këmbim të një shume të madhe parash. Gati 2000 grekë do të marrin pjesë në ceremoninë mortore, nesër në Bularat, përfshirë edhe ekstremistë të Agimit të Artë, që duam apo s’duam, do të krijojnë një klimë, në kulm, antishqiptare.

Nëse nesër ndodhin incidente që nuk do të na pëlqejnë, fajin nuk na e kanë grekët. Fajtorët kryesorë të gjithë kësaj amullie janë ata që na qeverisin sot dhe ata që qeverisën dje, politika antikombëtare që bëri pakt për ndërtimin e varrezave greke në territorin shqiptar. Nëse dje do të ishim të ndërgjegjësuar si popull për ta ndalur këtë tradhëti, nesër do të ishte një ditë e zakonshme, në Bularat.

Minoriteti grek ka pasur të gjithë drejtat e mundshme, që kjo pakicë të jetojë në paqe me shqiptarët. Sa për nacionalizmat që vërshojnë lart e poshtë, shqiptarët nuk janë nacionalistë. Nëse do të ishin të tillë, sot nuk do të kishim 9 minoritete të deklaruara dhe me të drejta të plota. Nëse shqiptarët do të ishin nacionalistë, sot nuk do të kishim flamuj grekë e të “Vorio-Epirit”, që valviten pa problem në rrugicat e fshatrave të deklaruara minoritarë dhe jo vetëm. Nëse shqiptarët do të ishin nacionalistë, sot nuk do të kishim gjuhën dhe shkollat greke të hapura nga shteti shqiptar, që fëmijët e familjeve minoritare të mësojnë në kushte më të mira se shqiptarët.

Përkundrazi, shqiptarët janë popull paqedashës, por nëse ju na hipni në qafë dhe deklaroni tokat shqiptare, si të tuajat, pritni të pamundurën.