Kultura E Debatit Është Vitale Për Një Shoqëri Demokratike

Janë shumë liderë botëror dhe rajonal të cilët marrin pjesë në debate të ndryshme të organizuara nga forume dhe organizata civile. Një ndër këta forume është edhe (MOF) Forumi Arsimor për të Rinj që organizon debate në bashkëpunim me klubet për debate të shkollave të mesme zakonisht ato private siç është klubi i debatit në kolegjin “Jahja Kemal”. Në debatet gjithmonë ajo që është e rëndësishme është të bazuarit në argumente dhe në prova. Kur kritika të bëhet me këto dy mjete atëherë ajo është produktive dhe shërben në përmirësimin dhe zgjedhjen e problemeve.

MOF, është themeluar në vitin 1998, kurse aktivitet e saja në nivel kombëtar i ka filluar në vitin 2003. Momentalisht MOF posedon program që i zbaton në 10 qytete të Maqedonisë. Gjithmonë me debate të nivelit të shkollës së mesme dhe universitare. Në shkollat e mesme kemi dy nivele të turneve të debatit në nivel nacional, primare dhe ajo nacionale. Në këtë turne marrin pjesë nxënës të shkollave nga të gjitha qytetet e Maqedonisë, të cilët garojnë për atë që do të jetë debatuesi më i mirë. Ligjëratat për trajnimin e nxënësve për gara të debatit bëhen në ambientet tona, pra në MOF. Në MOF janë gjithësej 14 ligjërues, të cilët merren me 7 grupe të përbërë nga 23 anëtarë , ku në secilin grup hyjnë nga 2 ligjërues. Redaksia jonë e realizoi një bisedë me një nga ligjëruesit për debat në këtë shoqatë, Vildan Drpljanin, i cili na sqaroi për mënyrën se si i realizojnë dhe se si e definojnë kulturën e debatit në ligjëratat e tyre.

Vildan Drpljanin
Si mund të përshkruhet kultura e debatit?

Debati në publik është e lidhur fuqishëm me demokracinë e një shteti. Në një shtet ku nuk tolerohet mendimi ndryshe atje nuk mund të jetë e zhvilluar kultura e debatit. Debat, nuk nënkuptohet vetëm atëherë kur të jenë të ulur dy politikanë dhe të debatojnë, por debati bëhet kur konkretisht flitet për probleme që kërkojnë zgjidhje. Për shembull nëse debati zhvillohet duke e qortuar dhe akuzuar njërin-tjetrin, edhe pse stili mund të jetë stil debati, në thelb ajo nuk quhet debat dhe nuk i përmbush kriteret për një debat të vërtetë.

Debat quhet një diskutim i organizuar i bazuar në argumente, ku pjesëmarrës janë dy anë me pikëpamje të ndryshme, të cilët mendimet e tyre i shprehin mbi argumentet të cilët mund t’i analizojnë me prova të ndryshme të cilat mund të vlerësohen nga ana e publikut. Pasi të dëgjohen të dyja palët mund të vlerësohet se cila palë është më bindëse. Në ligjëratat për debate që i realizojmë ne si MOF, thotë Vildan Drpljanin, e bëjmë në stilin “World school’s style” debat, apo stil i shkollave botërore, ku marrin pjesë dy ekipe me nga tre folës dhe secili prej tyre i mban nga katër fjalime. Këto fjalime bëhen mbi bazë të tezave që i ndajmë ne, ku flitet për probleme konkrete dhe ku mund të bisedohet më gjerësisht për zgjidhjen e tyre. Kemi dy lloj të tezave për të cilët debatojmë: Teza e parë ju jepet më herët dhe ka një afat më të gjatë për përgatitje dhe kjo mund të bëhet edhe në shtëpi. Po ashtu ka edhe teza që quhen “promto”, për të cilët debatuesit kanë vetëm 45 minuta kohë për përgatitje para se të filloj debati. Në këto 45 minuta, debatuesit nuk kanë të drejtë të përdorin internetin dhe t’i pyesin të tjerët, formojnë argumentet e tyre të cilët më vonë gjatë debatit duhet t’i mbrojnë. Tek studentët kjo kohë është e kufizuar me vetëm 15 minuta. Këtu debati bëhet edhe në formatin e parlamentit britanik. Për 15 minuta duhet të përmblidhet e gjithë tema dhe pastaj të jepen konstatime për tezën e zgjedhur.

Në debate publike ka edhe moderator, dhe zakonisht publiku e vlerëson fituesin dhe voton për atë që është më bindëse. Debatet i zhvillojmë në atmosfera të ndryshme. Këtë të fundit para disa javëve e realizuam në ambasadën e SHBA-ve, ku teza e debatit ishte zgjedhjet në SHBA-të. Në një debat të zakonshëm ekziston edhe një gjyqtarë i cili zakonisht është anëtar i MOF që ka përfunduar trajnimin në këtë lëmi. Sipas rregullave, pas përfundimit të debatit gjyqtari e bën të njohur fitimtarin dhe arsyen pse ai është shpallur fitues. Gjyqtari nuk merr pjesë në debatin dhe nuk parashtron pyetje, por vetëm i vlerëson debatuesit. Fjalimet mbahen nga 8 minuta, kurse minuta e parë dhe e fundit janë të mbrojtura gjegjësisht nuk lejohet ndërhyrja.

Debati sjell përfitime individuale dhe shoqërore

Për ndryshimet në shoqëri është vështirë të precizohet diçka sepse kultura debatit është një proces që do të zgjas pak më shumë, por përfitimet individuale janë mënyrat se si i kupton gjërat që i mëson në shkollë, lodhja e trurit për gjërat jashtë shkollës dhe mënyra e formimit të mendimit në jetën sociale bën që të reflektoj edhe në shoqëri duke e zgjeruar rrethin e ndikimit. Me kalimin e kohës kjo kulturë besoj se do të reflektoj edhe në politikën e vendit.

Debatet gjithmonë duhet të bazohen në argumente dhe prova

Në momentin kur Ju, do ta nënçmoni oponentin tuaj ajo quhet gabim logjik ad-hominen, ku ju fokusoheni në atë se kush e thotë në vend se të fokusoheni në atë çfarë thotë një person dhe mendoj se kjo gjithmonë përfundon si minus tek votuesit thekson Vildan Drpljanin, Ligjërues për debate në Forumin Arsimor për të Rinj. Shembull konkret ndodhi edhe me Trump, ku në të tre debate e përsëriti të njëjtën gabim kundër Hillary dhe në të tre debatet përfundoi me humbje. Kjo do të thotë se për një kohë të shkurtër ajo mund të duket si interesante dhe e zgjuar, por në një afat kohor më të gjatë dhe kur të shuhen pasionet atëherë gjithmonë fitues është pjesa që bazohet në argumente, prova dhe në gjëra konkrete. Në debatet gjithmonë ajo që është e rëndësishme është të bazuarit në argumente dhe në prova. Kur kritika të bëhet me këto dy mjete atëherë ajo është produktive dhe shërben në përmirësimin dhe zgjedhjen e problemeve. Kjo mund të sjell edhe revoltë tek njerëzit, por kultura e debatit sjell shumë dobi dhe nuk sjell humbje. Kultura e debatit e mban trurin të gjallë dhe e nxit atë të ushqehet gjithmonë me argumente dhe me prova, gjë e cila e çon njeriun drejt hulumtimeve dhe leximit.

AHMET OSMANI / ZAMAN.MK / 131