Ode Vjeshtës

Xhon Kits (1795–1821)

Stinë mjergullash e të vjelurash plot lëng
 Ti shoqe zemre e djellit t’pjekurisë,
Që merresh vesh me të si të mbushen dëng
 Me vile hardhitë rreth strehëve të shtëpisë;
Si të varen deg’t tër’ myshk me mollë ngarkuar,
 Lajthitë të piqen, kungujt të gufojnë,
Si të rreshken pemët krejt sa të bëhen fice,
Si të çelin sa më shumë lule për t’u dhuruar
 Nektarin bletëve, aq sa ato të kujtojnë
 Që dit’t e ngrohta kurrë nuk do të mbarojnë,
 Se Vera ua mbushi plot qelizat ngjitse.

Kush mes bollëkut tend nuk të ka par’?
 Ndoth që t’kërkon kush jasht e t’gjen shpeshherë
Këmb’ — kryq, shkujdesur krejt, në një hambar,
 Me flokë, nga të shirët, pak përzjerë;
O, me erën e lulkuqeve shushatur,
 Mes brazdës gjysmë-korrur thell tek fle,
 Ndërsa jot-kosë i matet rreshtit t’ardhshëm:
Dhe her’, si një qëmtues, ti mban të zgjatur
 Qafën e lënduar me pem’ mbi një rrëke;
O, nga një shtrydhës rrushi, rri e vë re
 Me or’ të tëra mushtin tek rrjedh ngathshëm.

Ku jan’këng’t e Pranverës? Ah, ku janë?
 Harro-i, e ke dhe ti muzikën tënde;
Kur djelli n’muzg çpon retë që matanë
 Dhe i ngjyen hamujt roz, at’kohë ndër krende
Të shelgjeve buz’ lumit ndihen n’kor
 Vajtime insektesh, prur’ her’ në lartsi
 Her posht, si t’jet’ puhia, e gjall’o e fikur;
Sheleg’t blegrijn nga prrenjt kodrinor’,
 Bulqet ia thon’ në gardhe, e, ja, tani
Sa but vërshllen gushkuqi n’kopshtin fqi!
 Dhe n’qiell cicrojn dallndyshet duke ikur.

One clap, two clap, three clap, forty?

By clapping more or less, you can signal to us which stories really stand out.