Edi Rama dhe Dështimi i Shëndetësisë Falas

Eden Kollçinaku
Eden Kollcinaku
Published in
5 min readMar 31, 2019

Ky artikull është publikuar për herë të parë në 23 Mars 2019.

Në fushatën e vitit 2013, kryeministri Rama arriti të fitonte një sasi të konsiderueshme votash vetëm prej premtimit të tij se do të sillte në Shqipëri të ashtuquajturën “shëndetësi falas”, një reformë në sistemin shëndetësor të vendit tonë, për të cilën kryeministri u mburr shumë. Por, cila është arsyeja që e bën këtë gjë të pamundur në Shqipërinë aktuale?

Njësoj siç u mburr edhe për Air Albania — një projekt qeveritar që do të konkurronte tregun e fluturimeve ajrore — që pa filluar mirë, shëndetësia “falas” u bë një ëndërr e parealizueshme për Edi Ramën dhe votuesit e partisë që ai drejtonte (dhe akoma drejton). Hartimi i një projektligji për t’i hapur dritën jeshile qeverisë të financonte gjithë sistemin shëndetsor, u bë i pamundur për shkak të klimës ekonomike të vendit tonë.

Madje, klima aktuale e bën akoma edhe më të pamundur financimin e shëndetësisë [universale] falas. Jo më kot i jam kthyer kësaj çështjeje për diskutim.

Është bërë trend që në shtete të ndryshme (sidomos ato vendet europiane), të adaptohet sistemi i shëndetësisë falas. Pavarësisht kësaj, mënyra se si ofrohet shëndetësia në këto vende është tepër e varfër. Në Britaninë e Madhe, për shembull, një projektligj i nxirrte jashtë obezët dhe duhanpirësit nga marrja falas e shërbimeve mjekësore, nëse do të kalonte në Parlament. Mund të duket diskriminuese për disa, por projektligji merrte parasysh shtrëngesat dhe detyrimet ekonomike.

Në Shtetet e Bashkuara janë shtuar aktivistët që kërkojnë një sistem shëndetsor “falas”. Partia Demokratike e SHBA ka nisur një rrugëtim drejt majtizmit kohët e fundit. Senatorë dhe Përfaqësues të ndryshëm kanë po bëjnë çdo ditë fushatë për sistemin universal shëndetësor. Por këtu nuk jemi në Amerikë, jemi në Europë, në një kontinent ku liderat politikë (si të djathtë edhe të majtë) janë pro disa prej këtyre politikave.

Por unë mendoj ndryshe. Dhe jo vetëm unë, por edhe shumë të djathtë, liberalë ose konservatorë kanë të njëjtin mendim. Ka shumë arsye për të rrëzuar qëndrime të tilla, të cilat, më së shumti bëhen për të fituar sa më shumë vota, sidomos prej shtresave mesatare dhe të varfëra të popullsisë.

Sipas një projeksioni, instalimi i këtij sistemi në Shtetet e Bashkuara. dhe funskionimi i tij për dhjetë vjet do t’i kushtonte vendit rreth 33 triliard dollarë. Nuk duhet të harrojmë se Amerika nuk e ka njohur kurrë socializmin. Nuk duhet të harrojmë edhe se GDP e Amerikës është 19.39 triliard dollarë, rreth 1400 herë më e lartë se e Shqipërisë. Megjithatë, SHBA ende nuk e ka një treg të lirë për shërbimet shëndetësore.

Imagjinoni se sa do të kushtonte shëndetësia “falas” në Shqipëri, që vetëm falas nuk është. Programi qeveritar për shëndetësi falas paguhet nga taksat e qytetarëve të thjeshtë dhe rritja e taksave do të ishte gjëja më e rëndësishme për vendosjen në punë të këtij sistemi.

Pikë së pari, Shqipëria është ende në një periudhë tranzicioni. E them këtë pasi ne nuk e kemi krijuar akoma kapitalizmin brenda vendit tonë. Politikat sociale (si shëndetësia falas) mund të bëhen vetëm nëse ne arrijmë të kemi një kapitalizëm të qëndrueshëm.

Do të kishim mungesë të stafit spitalor dhe, përveç kësaj, do të kishte një mungesë të tepruar medikamentesh, rritje të nivelit të korrupsionit dhe krijimin e burokracive të kota.

Rradhët nëpër spitale do të ishin akoma edhe më të gjata se këto që kemi. Një eksperiment që Steven Crowder bëri në sistemin “falas” të Kanadasë tregoi se për të bërë një vizitë të thjeshtë tek mjeku duhej të prisje të paktën katër orë. Sa e lodhshme mund të jetë kjo për. një qytetar që ka një hall të madh?

Nëse e shohim këtë çështje nga këndvështrimi i mjekëve do të shihnim vetëm skllavërim; punë pa dëshirë dhe përkushtim. Vendoseni veten në vend të mjekëve. Kush do të donte që të kryente një shërbim, të cilit do t’i humbiste fare vlera, sidomos pasi t’a quanin “falas”? Nuk po them se shëndetësia duhet neglizhuar. Por edhe mjekët, si individë, nuk duhen neglizhuar; nuk duhet t’i detyrojmë dhe t’ia u kërkojmë punën pa i vlerësuar. Prapë se prapë, në fund, mjekësia është profesioni më i human.

Një numër marramendës biznesesh do të ulnin qepenat dhe do të shkurtonin vendet e punës, fitimet dhe mundësitë për të patur prosperitet në të ardhmen. Do të ishte gati-gati e pamundur që biznesmenët të investonin akoma edhe më shumë në Shqipëri.

Ekonomistët e kuptojnë këtë, prandaj kjo çështje është parë me pesimizëm. Kushtet që ky premtim bosh nuk u përmbush ishin të shumta. Për situatën ekonomike fola më sipër, por mbase edhe deputetët ose kabineti i qeverisjes socialiste nuk e gjetën dot guximin dhe kurajon për të shkruar një projektligj të plotë.

Duke parë edhe dështimin e shumë projekteve qeveritare më parë në Shqipëri dhe keqfunksionimin e atyre që qeveria ka vendosur në punë aktualisht, nuk do t’a doja kurrë një sistem shëndetsor qeveritar. Thjesht shikoni se si funksionojnë qëndrat spitalore dhe shëndetsore publike në të gjithë vendin: që nga kushtet e spitaleve dhe deri tek vdekja e foshnjave nëpër maternitete.

Ndërkohë, kryeministri i vendit nuk do që të mbajë asgjë përsipër krahëve të tij. E kemi parë sjelljen e tij kurdo që ndodh ndonjë skandal ose mosmbajtje premtimi. Veprimi i vetëm që kryeministri bën është që t’ia hedhë fajin palëve të treta — në këtë rast mjekëve. Kjo që bën Rama është lojë politike; e pamë edhe tek fjala e tij pas dorëzimit të mandateve të opozitës; e pamë edhe tek fjalimet e tij për protestën e studentëve (kur ua hodhi fajin universiteteve).

Dhe, nëse këto shërbime do t’i ofronte të gjitha sektori privat, nuk do të dëgjonim gënjeshtra si këto.

Kjo nxjerr në pah premtimet boshe të politikanëve shqiptarë dhe përcjell një mesazh të qartë, që njerëzit nuk duhet t’iu besojnë politikave të ngjashme.

Gabimi i madh i Edi Ramës nuk qëndron vetëm tek premtimet e pambajtura, por edhe tek kapja e çdo pushteti në dorën e tij. Qeveria është bërë aq e madhe në Shqipëri sa ka kontroll gati mbi gjithçka. Nuk nevojitet argument për këtë, çdokush mund t’a shohë.

Dhe për ata që thonë se, meqënëse populli shqiptar është i varfër, këto shërbime duhet t’i ofrojë me patjetër qeveria, është totalisht gabim. Rritja e taksave nuk sjell as rritje dhe as zhvillim ekonomik.

Tregu i lirë është zgjidhja e çdo problemi. Liberalizmi ekonomik do të na ndihmonte të kishim një sistem shëndetsor të mbajtur nga sektori privat, me çmime të lira dhe të arsyeshme, me më pak shpenzime për individët dhe bizneset, me kushte më të mira, me zbulime shkencore dhe liri për të gjithë, edhe për pacientët edhe për mjekët.

Përse nuk mund t’a lemë të qetë tregun, por presim gjithmonë që qeveria të ndërhyjë dhe të prishë punë duke vendosur rregullime? Në fund të fundit, që të ecim përpara duhet të jemi të lirë.

--

--