Gara aktuale presidenciale është në favor të Trump

Eden Kollçinaku
Eden Kollcinaku
Published in
2 min readApr 19, 2019

Duke lexuar lajmet sot pashë se ish-zv/presidenti Joe Biden mund të shpallë kandidaturën e tij për President javën tjetër. Nëse Biden vendos të kandidojë për primaret demokrate, do i përçajë akoma më shumë demokratët, pasi gara që Biden do të bëjë është më e moderuar se gara progresiste e Bernie Sandersit. Gjithsesi, Biden mund të jetë kandidati zyrtar i demokratëve në 2020, pasi ka përkrahjen dhe, me shumë mundësi, edhe fondet e Democratic National Committee (DNC). Njësoj si gara e primareve në 2016, ku të gjithë e dinin — ose e kishin kuptuar — se kandidatja zyrtare do të ishte Hillary Clinton.

Ndërkohë, ngjarjet e kohëve të fundit e kanë goditur shumë Partinë Demokratike të Amerikës, duke filluar që me fjalët anti-semite të disa prej Kongresmenëve, pasurinë e socialistit Bernie Sanders, skandalet e Joe Biden dhe deri tek raporti i Robert Muller që nuk zbuloi ndonjë gjë me rëndësi në lidhje me influencën ruse.

Faktorët ekonomikë janë në favor të Presidentit Trump, i cili e ka shprehur kandidaturën e tij për rimarrje të postit që vitin e kaluar. Kjo e bën që, perveçse në primaret republikane, Trump t’a ketë rrugën e hapur edhe për fitoren presidenciale. E vetmja pengesë që Trump po has është Rezerva Federale (Fed) dhe guvernatori i saj, Jerome Powell, politikat monetare të të cilit kanë sjellë disa përplasje me Presidentin.

Megjithatë, fitorja për së dyti e Senatit në 2018, e bën Trumpin një kandidat më të fortë se shumica e Presidentëve që kanë qenë para tij. Kjo mjafton të kuptohet vetëm duke parë rezultatet që kanë pasur këta të fundit në zgjedhjet midterm për Kongres. Përshembull, në vitin e tij të dytë si President, Obama humbi 63 vende në Dhomën e Përfaqësuesve. Njësoj, Bill Clinton humbi 52 vende. Përveç kësaj, ata rranë në numër edhe në Dhomën e Senatit, ndërsa Trump e thelloi fitoren më Senat. Ky është një indikacion që na sinjalizon një presidencë të suksesshme deri tani.

Trump duket më i fortë se kurrë në arenën politike amerikane. Përçarja e demokratëve dhe radikalizimi që e ka futur partinë e tyre në një tranzicion akoma dhe më majtas, i bën të humbasin seriozitetin dhe unitetin e tyre. Fitorja e dytë e Trump është e padiskutueshme, madje, mund të jetë një nga më të thellat në historinë e Shteteve të Bashkuara.

--

--