Grali i Shenjtë i Edi Ramës

Eden Kollçinaku
Eden Kollcinaku
Published in
3 min readApr 12, 2019

Letërsia Arturiane na ka njohur me një objekt mistik shumë të lakmuar dhe çudibërës që e ka emrin Grali i Shenjtë. Disa gojëdhëna e përshkruajnë atë si një vazo. Disa të tjera si një poç. Madje, ka edhe nga ato që e përshkruajnë si një gur. Poeti francez, Robert de Boron ka arritur deri aty sa të thotë se gota e Jezusit në pikturën Darka e Fundit është Grali i Shenjtë.

Grali, vërtet mund të jetë një objekt me vlerë marramendëse dhe që sjell lumturi të pafundme, por për të janë vrarë me mijëra njerëz, sipas literaturave britanike. Autori anglez, Bernard Cornwell ka botuar një seri librash fiktivë, në të cilët mundohet t’i japë trajtë dhe formë Gralit, duke e shndërruar betejën mes Anglisë dhe Francës në Bretanjë dhe Normandi si një betejë për të zbuluar Gralin. Ndonëse është histori e trilluar, është tepër tërheqëse, sidomos kur arrin t’a portretizosh formën e Gralit të Shenjtë dhe t’i japësh jetë në aktualitetin ku ndodhesh.

Qeveria socio-rilindase e Edi Ramës po përdor një mjet të fortë propagande për të mbushur mendjet e popullit se gjithçka është në vijë të drejtë. Po bën gjithçka që të na bëjë të mendojmë se ata na e kanë sjellë Gralin e Shenjtë këtu. Por le të mundohemi dhe t’a marrim këtë si të mirëqënë. Pra, e zemë se qeveria Rama e ka sjellë Gralin në Shqipëri, siç ajo thotë.

A do të arrinte borxhi i vendit tonë kaq lart? A do të kishim një lëvizje masive të njerëzve drejt vendeve perëndimore? A do të kishim standarde kaq të ulëta jetese? A do të kishim një plakje kaq të madhe të popullsisë? A do të na duhej të kishim kaq varësi të madhe nga shteti? A do të binte Republika në këtë pikë sa të mos respektohej ligji dhe kushtetuta?

Po ku ndodhet Grali tani, që kemi më shumë nevojë për të? Më shumë se ne, kryeministrit i duhet ndihma e këtij objekti. Nga dita në ditë, kjo qeverisje prodhon lajme nga më të ndryshmet, por ajo që i bën bashkë këto lajme është se të gjitha janë skandale. Besoj se shumica e ka ndjekur aktualitetin kohët e fundit. Vetëm pak ditë më parë, përshembull, ndodhën dy ngjarje shumë të neveritshme. Llogariteni tani këtë në një hark kohor gjashtë vjeçar dhe krahasojeni përsëri situatën tonë me të rajonit në përgjithësi.

Mos ky Grali i Edi Ramës është nga ato prodhimet imituese dhe fallco? Sepse përveç krizës ekonomike dhe politike, na ka futur edhe në një krizë të madhe sociale. Na ka përçarë si popull duke na vendosur përballë njëri-tjetrit dhe duke mos pranuar asnjë faj për vete. Vjedhje, vrasje, trafik droge dhe krim po dëgjojmë çdo ditë. Kjo është edhe një arsye e fortë se përse zhvillimi ekonomik ka rrënë dhe investitorët e huaj po lenë Shqipërinë dhe po drejtohen drejt tregjeve të sigurta jashtë.

Për Gralin fallco, qeveria i është mburrur edhe ndërkombëtarëve, me disa pseudo-reforma, misioni i vetëm i të cilave është kapja e çdo funksioni nga shteti. Mirëpo, në lidhje me ndërkombëtarët dhe diplomacinë, Grali s’na ka bërë asgjë. Asnjë takim zyrtar, asnjë marrëveshje të mirë dhe të ndershme tregtare ose politike, asnjë hap përpara drejt antarësimit në Bashkimin Europian. Madje sot, Hollanda paska votuar kthimin e vizave për Shqipërinë. Kë duhet të falenderojmë për këtë, Gralin apo Edi Ramën?

Arsyeja se përse po përmend një objekt të tillë është se ky objekt është inekzistent. Nuk është zbuluar asnjëherë dhe jo më t’a zbulojë një qeverisje si kjo.

E sa kohë do të duhet që të kuptojmë se Grali i Shenjtë është thjesht diçka imagjinare; mos presim që të na japë ai zgjidhje, por të përpiqemi t’a ndryshojmë vetë situatën? Apo duhet të besojmë se Grali i Shenjtë është diçka reale, për të cilin janë bërë edhe filma? Duhet të kuptojmë se lufta e qeverisë për të sjellë Gralin është diçka teatrale; ajo thjesht po lufton të mbajë veten akoma në këmbë. Përderisa qeveria nuk dëgjon dhe nuk vendos të ndryshojë politikat e saj — të cilat nuk kanë qenë aspak të suksesshme deri tani — është çdo gjë në dorën tonë nëse vërtet duam të fusim një alternativë të re në sistem: një alternativë që do të na mundësojë lirinë, pavarësinë, sundimin e ligjit dhe individualizmin e gjithsecilit.

--

--