Një rend i ri që do zhdukë rendin e vjetër
Konkurrencë (anglisht: competition / kɒmpɪˈtɪʃ(ə)n/): garë a përpjekje për t’ia kaluar dikujt tjetër — sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe.
Disa e shohin konkurrencën si një fakt të jetës, që, në fakt, është e vërtetë. Mirëpo, Adam Smith, autori i kryeveprës “The Wealth of Nations”, e sheh simbolikën e vërtetë të konkurrencës si një të mirë për njerëzimin dhe mirëqënien e tij.
Po e filloj këtë shkrim me Adam Smith-in, si një nga frymëzimet më të mëdha për mua; ideologjikisht dhe praktikisht.
Smith besonte se konkurrenca është gjëja që kontribuon më së shumti në lumturinë e njeriut. Siç citohet në librin e tij:
Konkurrenca është e dobishme për një grup njerëzish që përfitojnë shumë, pavarësisht nga tregu i mirë, shpenzimet e mëdha të të cilit janë të përballueshme për një komb.
Por, fjalët e mësipërme të Smith janë shkruar për të ilustruar një treg të lirë, pra një sistem ekonomik. Po sikur t’a zgjeronim më shumë atë që sjell fjala konkurrencë? Të mos e lejonim vetëm në ekonomi, por edhe në sistemin tonë zgjedhor.
Një hapësirë e lirë, e hapur dhe më demokratike; njësoj si tregu i lirë, i hapur dhe kapitalist i Adam Smith-it. Ky do të ishte fundi i karrierës së politikanëve shqiptarë — shumica e të cilëve kanë mbi dhjetë vjet në detyrë. Ndryshe nga vendet Perëndimore, në Shqipëri është shumë e vështirë për një individ të thjeshtë që të bëhet pjesë e vendimmarrjes dhe akoma më e vështirë për të lënë karrigen e pushtetit, kjo për faj të sistemit (ose për fajin tonë që e kemi lënë të shkojë ashtu).
Si një njeri revolucionar në lidhje me ndryshimin e mentalitetit njerëzor, Smith arriti të kundër-argumentonte idetë se një komb mund të pasurohet kur kombet e tjera varfërohen. Ky mund të jetë edhe mesazhi më i madh që ofron libri The Wealth of Nations. Ky mund të jetë edhe një mesazh shumë i rëndësishëm për arenën tonë politike në Shqipëri. Një situatë politike nuk mund të “pasurohet” kur kundërshtarët politikë “varfërohen”. Duhet të ndryshojmë mentalitetin, ndryshe do të votojmë gjithë jetën për atë që njëzëri e quajmë “e keqja më e vogël”.
Të flasësh për sistemin politik dhe zgjedhor të Shqipërisë nuk është edhe aq e vështirë, mund t’a përmbledhësh të gjithin me një mbiemër: të kapur. Është një sistem me shumë probleme dhe defekte, pasi ndarja e pushteteve ka marrë një trajtë marksiste: ka zhdukur tre pushtetet dhe i ka shkrirë ata në një të vetëm, duke krijuar vetëm dy klasa: ata me pushteti në dorë dhe ata pa pushtet fare. Për një popull europian dhe demokratik kjo do të ishte e papranueshme, por ja ku jemi ne, shqiptarët.
Kemi mbetur ende në një periudhë tranzicioni, megjithëse kemi gati tridhjetë vite që i jemi shkëputur një sistemi politiko-ekonomik komunist. Një pyetje me vend do të ishte: kush janë shërbëtorët e popullit? Mungon një përgjigje ekzakte, pasi kushdo mund t’a mendojë sipas mënyrës së vetë.
Gjatë periudhave të fushatave elektorale, shumica mendon se ne kemi vërtet demokraci — kjo duket nga numri i lartë i partive që kandidojnë. Mirëpo, ne harrojmë që qëllimi i vetëm i këtyre partive është thjesht që të marrin fonde nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe, më pas, paratë e marra, t’i fusin në xhepat e tyre.
Ne mendojmë edhe se media është e lirë kur shohim se kemi një numër të madh kanalesh televizive dhe portalesh online, por harrojmë se media në Shqipëri kontrollohet nga vetëm pesë familje.
Njësoj, demokracia në Shqipëri varet vetëm nga dy (ose tre) parti, si gjithmonë nëse ka mjaftueshëm mandate deputetësh sa për të kaluar shumicën në Parlament. Ky nuk është opinioni im, është fakt; e kemi parë për disa vjet dhe do vazhdojë të ndodhë nëse ne nuk kërkojmë ndryshim të sistemit.
Një sistem zgjedhor dhe politik sipas stilit Smith-ian do të kishte:
Parti politike të cilat mbajnë qëndrime të qarta në lidhje me krahun politik. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, pasi aktualisht është e vështirë të kuptosh nëse (për shembull) Partia Socialiste është një parti e krahut të majtë apo të djathtë. E njëjta vlen edhe për partitë e tjera politike. Ato nuk janë të qarta në vetvete se çfarë ideologjish ndjekin, paçka se e cilësojnë veten si të majta ose të djathta. Kjo do t’i ndihmonte më shumë edhe militantët të krijonin një lloj edukimi politik dhe të ndiqnin ideologjitë që përkrahnin më shumë.
Parti të hapura për këdo që do të kandidojë. Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, në fillim të Dhjetorit 2018, Lulzim Basha tha se PD do të ishte e para parti në Shqipëri që do të bënte zgjedhje primare për kandidatët e saj. Kjo është një gjë shumë e mirë, shumë efiçente dhe produktive për të rritur konkurrencën e individëve brenda partisë. Por kjo gjë duhet adoptuar edhe nga partitë e tjera politike, të cilat, aktualisht, po tregohen shumë kokëforta ndaj kësaj reforme.
Individi ka përparësi ndaj partisë. Personalisht, unë do të ndjehesha më i sigurt për vendimin tim nëse do të votoja për një individ të caktuar se sa për një parti. Ndryshimi është se një individ ka idetë dhe mendimet e tij, ndërsa një parti ka një mori idesh të ndryshme, që në shumicën e rasteve bëhen lëmsh dhe e bëjnë votuesin më konfuz.
Kryeministër dhe President të zgjedhur direkt nga populli. Që të arrijmë vërtet ndarjen e pushteteve, na intereson që të votojmë drejtpërdrejt për Kryeministrin dhe Presidentin që duam dhe mos ia u lemë në dorë përfaqësuesve tanë në Parlament. Pra, populli mund të vendosë për një trup legjislativ Socialist, por njëkohësisht mund të zgjedhë një shef ekzekutiv Demokrat. Ndarje e vërtetë pushtetesh, domethënë vështirësi për burokratët. Ilustrimi më i mirë i kësaj do të ishte Amerika.
KQZ duhet të ndalojë fondet për partitë politike gjatë fushatave. Kjo do i jepte fund gjithë shpërdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë për parti të cilat hyjnë në zgjedhje, të sigurta vetëm se do të marrin fondet nga KQZ.
Parlament me dy dhoma. Reformë e cila do të kushtëzonte ligjet korruptive, pa i lënë ato të arrijnë deri tek zyra e Presidentit për firmosje. Kjo do të ishte shumë efektive, sidomos në aktualitetin tonë ku mungon një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Efekti direkt që do të shkakëtonte ky sistem: konkurrencë. Pasojat e konkurrencës janë përmendur më sipër dhe nuk ja vlen të përmenden përsëri.
Këto mund të jenë disa gjëra shumë të mira për sistemin tonë politik dhe zgjedhor dhe, më e rëndësishmja, do t’i shërbente popullit dhe jo partive. Kush nuk do t’a donte këtë liri, përveç burokratëve në nivel shtetëror dhe partiak? Megjithëse shkrimi ka vend edhe për reforma të tjera të stilit Smith-ian (siç e quaj unë), po mjaftohem me kaq dhe po i le gjërat e tjera në imagjinatën e lexuesve për t’u bërë më kërkues ndaj establishmentit tonë politik dhe, kryesisht, ndaj vetes.