Përse Demokratët e Amerikës nuk mund t’a zhdukin dot Kolegjin Elektoral
Ky artikull është publikuar për herë të parë në 5 Janar 2019.
Së fundmi, Demokratët në Amerikë arritën të fitonin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Të lumtur dhe të entuziazmuar për këtë arritje, që ditën e parë të tyre në Kongres, ata kërkuan të krijonin një mënyrë për të akuzuar Presidentin Trump, gjë e cila solli një ndarje mes tyre. Ndarja u krijua pas mënyrave të ndryshme të propozuara. Por kjo nuk ka rëndësi, pasi Senati mbahet ende nga Republikanët.
Ajo që bëri më shumë bujë ishte kërkesa e Përfaqësuesit të ri Steve Cohen, për eleminimin total të Kolegjit Elektoral. Që të kuptojmë kërkesën e tij duhet të dimë më shumë rreth historisë dhe funksionit të këtij Kolegji.
Kolegji Elektoral shërben si një mënyrë për të barazuar votat e zgjedhësve mes shteteve, pra, krijon një mënyrë indirekte për zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Për baballarët e Amerikës (Founding Fathers), kjo ishte mënyra më e mirë për zgjedhjen e liderit të qeverisë federale.
Në praktikë, kjo metodë është shumë efektive, pasi nuk lejon që shtetet me popullsi të madhe të marrin vendimin të vetëm, si në rastin e Kalifornisë. Nëse Kolegji Elektoral nuk do të ekzistonte, personi që do të fitonte gjithë votat në shtetin e Kalifornisë do të zgjidhej direkt President. Baballarët e Amerikës e dinin këtë gjë, prandaj vendosën ngritjen e një sistemi të quajtur Kolegji Elektoral, së bashku me krijimin e Kushtetutës.
Parimisht, Kolegji Elektoral funksionon duke krijuar një numër të caktuar Elektorësh për çdo shtet në bazë të numrit të popullsisë. Kjo e bën vendimmarrjen më të barabartë mes shteteve. Nëse kandidati për President fiton shumicën e votave të një shteti, gjithashtu, ai fiton edhe të gjithë Elektorët e atij shteti. Florida, për shembull, ka njëzet e nëntë Elektorë dhe, meqënëse Donald Trump fitoi shumicën e votave në këtë shtet, të gjithë Elektorët duhet të kalonin në anën e tij.
Megjithëse në të shkuarën Donald Trump e ka kritikuar shumë Kolegjin Elektoral, ai duhet të jetë mirënjohës për ekzistencën e tij, pasi pa të, në këtë moment në Amerikë do të ishte një Presidente Hillary Clinton.
Me krijimin e Kushtetutës, brenda amendamentit të dymbëdhjetë është vendosur edhe krijimi i Kolegjit Elektoral. Një shtesë është bërë në amendamentin njëzet e tre, ku thuhet se Distrikti i Kolumbisë duhet të ketë tre Elektorë. Dhe, që të bëhet një ndryshim i amendamenteve dhe artikujve në Kushtetutë, Demokratët duhet të kenë në dorë më shumë se dy të tretat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Dhomën e Senatorëve. Më pas, ndryshimi duhet të ratifikohet nga të paktën tre të katërtat e shteteve. Me një fjalë, kërkesa e Demokratëve është një gjë e pamundur, pasi shumicën në Senat e mbajnë Republikanët. Gjithashtu, duhet përmendur se shumica e Guvernatorëve të shteteve mbahet nga Republikanët.
Duke ditur gjithë këto, mund të themi se këto propozime të Demokratëve të rinj në Kongres bëhen thjeshtë sa për imazh dhe reklamë, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe mediave. Njësoj si me rastin e Përfaqësueses së re Rashida Talib, e cila përdori fjalë vulgare drejt Presidentit Trump.
Por çfarë ka bërë Kolegji Elektoral që i ka zemëruar Demokratët kaq shumë? Në vitin 2000, George W. Bush u zgjodh President me shumicën e votave të Kolegjit Elektoral, megjithëse humbi shumicën e votave popullore. Njësoj, në vitin 2016, Donald Trump fitoi ndaj Hillary Clinton me shumicën e votave të Kolegjit Elektoral, megjithëse Clinton fitoi shumicën e votave popullore.
Historikisht, e majta liberale amerikane ka humbur më së shumti nga Kolegji Elektoral, prandaj kanë një justifikim “të drejtë” për t’a sulmuar këtë sistem që ka favorizuar më së shumti të djathtën konservatore amerikane.
Thellë, në qëndrimin e tij, Kolegji Elektoral përfaqëson një metodë të decentralizuar dhe libertariane ndaj sistemit federal. Pikëpamjet e Baballarëve të Amerikës kishin në thelb të tyre liritë individuale dhe mbrojtjen e tyre. Thjeshtësimi i metodës, pra vendosja e votës popullore, do të radikalizonte politikën amerikane, do të dobësonte fuqinë e ligjit dhe do të anashkalonte vullnetin e njerëzve që jetojnë në shtete të vogla ose në zona rurale.
Demokracia amerikane është një subjekt i bukur dhe i gjerë për të folur. Në përfundimin tim, kam arritur të kuptoj se Republikanët janë ata që duan më shumë që kjo demokraci liberale të funksionojë; Demokratët nga ana tjetër duan të shkatërrojnë një sistem që ka ecur në mënyrë të suksesshme për 242 vjet.