Përse propaganda dixhitale e Kinës po zbehet?
Ky artikull është publikuar për herë të parë në 14 Janar 2019.
Drejtori i shitjeve të kompanisë kineze Huawei, u arrestua së fundmi nga shteti polak, duke krijuar dinamika të fuqishme dhe dyshime mes vendeve të Perëndimit dhe Kinës. Përveç kësaj, një muaj më parë, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadaja arriti të kapë në pranga vajzën e krijuesit të po të njëjtës kompani. Normalisht, frika më e madhe që kjo mund të shkaktonte ishte ndërprerja e pushimit dhe përshkallëzimi i luftës tregtare që ka kapur Amerikën dhe Kinën.
Megjithatë, shteti kinez di se si ta bëjë propagandën dhe është gjithmonë i gatshëm të luftojë me këdo që ngre akuza ndaj tyre. Lidhur me arrestimin në Kanada, një prej portaleve të qeverisë komuniste të Kinës, China Daily, e quan këtë gjë “tepër të paarsyeshme, të pakuptimtë dhe të turpshme.” Më pas, artikulli vazhdonte duke e quajtur arrestimin “të paligjshëm”. Artikuj të ndryshëm u botuan më vonë në portalet e kontrolluara prej qeverisë të Kinës. Editorialet e zyrtarëve dhe diplomatëve të lartë u promovuan tej mase.
Situata të tjera, të ngjashme, e kanë bërë Kinën të mbrojë të pambrojturit e saj. Ka pasur raste edhe kur gazetarë të ndryshëm kinezë kanë tentuar të ndërpresin konferenca dhe forume të ndryshme të cilat flasin për zvogëlimin e demokracisë dhe lirisë në Kinë. Në fakt, këto veprime të nxitura nga qeveria komuniste përbëjnë një sjellje tepër patriotike, por të detyruar. Pra, individët, media dhe diplomatët janë gjatë gjithë kohës nën presion.
Kompani të ndryshme private kineze janë duke promovuar akoma edhe më shumë qeverinë komuniste, duke vendosur simbole të propagandës kudo. Një rast i veçantë është edhe aplikacionin për celular të zhvilluar nga kompania kineze Tencent, QQ. Pinguini në logon e kompanisë është ridizenjuar në mënyrë që në kraharorin e tij të vendosej simboli i Drapërit dhe Çekiçit.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Ka edhe aplikacione të tjera për celular, të cilat janë duke zhvilluar me një radikalizëm të tejskajshëm kultin e individit në Kinë. Që nga gazetarët që ndërpresin forume, diplomatët që shkruajnë editoriale propagandeske, kompanitë e ndryshme private dhe deri tek aplikacionet ku mund të duartrokasësh për Presidentin e Republikës Popullore të Kinës.
Kjo propagandë e re që po bëhet nga qeveria e Kinës është një hije e propagandës agresive të së shkuarës: revolucionit kulturor kinez që zgjati për gati më shumë se dhjetë vite, i cili mund të përafrohet me Hoxhaizmin e përdorur në Shqipëri ose në vendet e tjera ish-komuniste. Populli kinez ka vuajtur shumë nga torturat e Partisë Komuniste të Kinës, sidomos gjatë viteve të revolucionit kulturor; masakra nga më të ndryshmet.
Dhe, si çdo histori tjetër, edhe kjo rikthehet tashmë. Madje, as çmimi Nobel nuk është mbrojtje. Të flasësh keq për qeverinë të kushton jetën. Burgu është i hapur për të gjithë, që nga aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, deri tek Nobelistët dhe modelet nëpër sfilada. Por, taktika më e re e përdorimit të këtyre modeleve propagandiste është të kritikosh veten.
Aktorja Fan. Bingbing, që luan personazhin e Blink në filmat X-Men, u detyrua të ulte veten e saj dhe të bënte një mesazh për të influencuar mbi njerëzit duke postuar në rrjetin social kinez, Weibo, pasi ishte zhdukur prej muajsh. Në postimin e saj, ajo thoshte se “nuk ka Fan Bingbing pa Partinë dhe politikat e shkëlqyera të shtetit tonë, pa dashurinë e publikut të gjerë.” Zhdukja e saj tre muaj më parë, e bën këtë postim akoma edhe më të dyshimtë, duke ngjallur mendime konspirative tek lexuesit.
Sigurisht, ka pasur edhe zhdukje të tjera njerëzit, madje edhe vrasje, të cilat në mediat kineze janë pasqyruar si vetëvrasje. Më të shumtat iu ndodhin zyrtarëve të lartë, të cilët nuk i qëndrojnë besnikë Partisë.
E vetmja gjë që dallon midis dhunës së më parëshme dhe asaj aktuale është një fjalë e vetme: dixhitalizimi. Këtu po përkufizoj propagandën si dhunë. Është për të ardhur keq në fakt, sepse shumë gjëra të ngjashme duken tepër aktuale edhe në Shqipëri. Media ka arritur të krijojë një iluzion se Kina i ka punët shumë mirë brenda saj, por zbulimet e fundit në teknologji, si vjedhjet dhe përgjimet që ai vend kryen, po e zbehin këtë iluzion.
Manovrat dhe luftrat teknologjike që Kina po kryen janë tejmase të mëdha dhe tepër të rrezikshme. Sulmet kibernetike, vjedhja e të dhënave, e dokumenteve sekrete, infiltrimi i kompanive private kineze në shtetet e tjera të botës, kontrolli i plotë mbi mediat dhe agjensitë e lajmeve të shtetit kinez, po i kushtojnë qeverisë shumë. E gjithë kjo për interesa politike. Madje, Perëndimi po duron shumë. Për mua, vetëm një gjë është e sigurt, luftën teknologjike do t’a fitojë Perëndimi.