Propaganda për Air Albania, një vjedhje e rradhës

Eden Kollçinaku
Eden Kollcinaku
Published in
4 min readMar 31, 2019

Ky artikull është publikuar për herë të parë në 15 Shtator 2018.

“Air Albania, e para linjë ajrore që fluturon nën flamurin shqiptar,” u shpreh Kryeministri Edi Rama për projektin më të ri të qeverisë shqiptare në ortakëri me dy kompani të tjera. Një gënjeshtër e re për t’a çuar propagandën e qeverisë së madhe akoma edhe më tutje. Në fakt, linja e parë ajrore që ka fluturuar nën flamurin shqiptar ishte Albanian Airline, e krijuar në 1992 dhe e financuar nga shteti, deri kur u privatizua nga një grup investimi prej Kuvajtit. Më pas, pati disa shit-blerje nga kompani të tjera. Albanian Airline operoi deri në vitin 2011, kur pronarët dhe investitorët turkë Evsen Group (që zotëronin 93% të aksioneve) u kapën në një veprimtari kriminale.

Përveç kësaj, krijimi i Air Albania ishte një gënjeshtër që prej fillimit. Mbase një projekt për të vjedhur akoma edhe më shumë.

Kryeministri socialist Edi Rama ishte i pari që e bëri publik lajmin e krijimit të kësaj linje fluturimi në një intervistë në Mars të vitit 2017, ku tha:

“Kemi në plan të krijojmë një linjë ajrore në Shqipëri, një linjë ajrore shqiptare në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe AtlasGlobal.”

Disa muaj më vonë, në 8 Maj 2017, Rama dhe presidenti i Turkish Airlines e bënë këtë një deklaratë zyrtare, ku u tha se “për këtë projekt do të kujdeset vetë edhe Presidenti turk Erdogan.”

Gjithsesi, ndërtimi me PPP (partneriteti publik-privat) — ose siç e quan një nga profesorët e mi në Universitet, partneriteti pirat-plaçkitës — ishte ajo që do të krijonte disa pikëpyetje. Air Albania është në pronësi të tre investitorëve: Albcontrol Sha, Turkish Airlines dhe MND Investment shpk.

Albcontrol sha është një kompani e shtetit shqiptar, një kompani qeveritare që financohet nga taksapaguesit shqiptarë, e cila do të ketë vetëm 10% të aksioneve (sipas publikimeve të fundit të mediave dhe portaleve).

Turkish Airlines është linja ajrore e shtetit turk, në të cilën rreth 50% të investimeve i ka qeveria turke dhe pjesa tjetër kontrollohet nga investitorë të tjerë.

MND Investment shpk është një kompani e krijuar vetëm nëntë ditë para dekretit [mafioz] të Këshillit të Ministrave, që thotë se “është e specializuar në ushtrimin e këtyre veprimtarive” edhe pse nuk ka asnjë aktivitet në këtë fushë.

Ajo që krijon më shumë konspiracione është se përse ky projekt iu dha kompanisë MND Investment pa një garë. Gjithashtu, e çuditshme është krijimi i kësaj kompanie të krijuar vetëm disa ditë para vendimit të qeverisë. Pronari i kësaj kompanie, Sinan Idrizi deklaroi një kapital prej 100 mijë dollarësh për krijimin e kësaj kompanie, të cilat nuk dihet se nga kanë ardhur. Sinan Idrizi është një nga administratorët e skuadrës së Flamurtarit. Përsëri, paratë e financimit të klubit sportiv nuk dihet se nga vijnë. Figura e Sinan Idrizit është komplet e panjohur për publikun shqiptar.

Dhënia me PPP e këtij projekti qeveritar u bë në një mënyrë që nuk la shije të mirë. Në mënyrë që Albcontrol të jepte financimin dhe kontributin e saj në partneritetin publik-privat, pronësia e tokës së fushës së aviacionit të Aeroportit “Nënë Tereza” iu dha Albcontrol-it me anën e një Vendimi të Këshillit të Ministrave (vendimi nr. 274) (http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2018/PDF-2018/74-2018.pdf).

Krijimi i kompanisë Air Albania u dekretua me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 309, në datën 16 Maj 2018. Sipas dekretit kompania do të ishte në pronësi të tre pronarëve të listuar më sipër.

Gjithsesi, ky projekt i rremë i qeverisë tonë dhe asaj turke, sipas meje, ka për të dështuar. Kur dy nga tre financues janë kompani të shtetit, investimi është i dobët. Kemi Albcontrol, në pronësi të qeverisë shqiptare, që ka 10% të aksioneve dhe Turkish Airlines, në pronësi të qeverisë turke, që ka 49% të aksioneve. Së bashku, bëjnë 59% të investimeve në këtë kompani. Ajo çfarë shumica nuk kupton është se qeveria është investitori më i keq, më i dobët, më i varfër.

Jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Kemi dëgjuar historitë e krijimit të rrugëve hekurudhore në Amerikë, të Union Pacific, Northern Pacific dhe Central Pacific, hekurudha të ndërtuara nga investimi publik të cilat dështuan. Si për kontrast, Great Northern Railway i ndërtuar nga dikush që përdori kapitalin e vet ishte një histori suksesi.

E njëjta gjë ndodhi edhe me vëllezërit Wright, të cilët, pa ndihmën e qeverisë, arritën të krijonin avionin e parë fluturues, ndryshe nga Samuel Langley që përdori financimin e qeverisë dhe dështoi dy herë.

--

--