Shpresa ka humbur, shqiptarët duan të largohen
Ky artikull është publikuar për herë të parë në 28 Tetor 2018.
Të gjithë po kërkojnë të largohen një orë e më parë nga ky vend. Është e tmerrshme, sidomos kur mendon se janë të rinjtë e vendit tonë shumica që kërkon të ikë. Por kush do të jetë elita e ardhshme nëse të gjithë ne vendosim të ikim?
E dëgjoj gati çdo ditë këtë shprehje: “Shqipëria nuk ka për t’u bërë ndonjëherë,” dhe më vjen një trishtim i madh sepse po humbet shpresa dhe vizioni për të ardhmen. Kam me qindra shokë, miq dhe të njohur të cilët janë gati të mbledhin gjithçka që kanë dhe të largohen sa më shpejt. A është kjo një axhendë?
Në një publikim të portalit Balkanist.net të Qershorit të vitit 2017, bëhet fjalë për kërkesa masive për t’u larguar. Që nga titulli kuptohet thelbi i lajmit: “Shqipëria po boshatiset me një shpejtësi alarmante.” Autori i lajmit, Vincent Triest, ka bashkëngjitur shkrimit të tij edhe disa të dhëna statistikore, ku shihet fare qartë rritja e numrit të azilkërkuesve dhe të atyre që duan të largohen, që prej vitit 2013. Vetëm në vitin 2013, kërkesat për azil në Gjermani kanë arritur në mbi 1200, në kontrast me vitin 2012, ku vetëm 250 persona kanë kërkuar azil. Përgjatë viteve pas 2013, numri rritet me norma të mëdhaja, mbi 100%.
Për referencë po marr një publikim të avokatit Altin Goxhaj në lidhje me personat që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane. 189 mijë persona vetëm në vitin 2016. Është çmenduri! Sa për Lotarinë Amerikane, nuk kam ç’të them, e dëgjoj çdo ditë nga miqtë e mi, të cilët nuk kanë hezituar aspak për të aplikuar. Dhe, kur ata dëgjojnë se unë nuk dua të aplikoj për Lotari, gjithmonë thonë “vetëm ty të kemi parë që do të qëndrosh këtu.”
Ndërsa në një shkrim të znj. Blerina Hoxha të publikuar në portale online, së fundmi, më bëri shumë përshtypje një paragraf, ku thuhej: “Vala e fundit e emigrimit është më dramatike dhe po rrezikon ta çojë vendin drejt “shuarjes”, pasi eksodi ka përfshirë qytete të mëdha si Vlora, Tirana Durrësi dhe Elbasani, kurse ata që duan të ikin janë individë në punë me paga të larta dhe të mirarsimiuar — fenomene që nuk ishin vërejtur në vrojtimin e vitit 2007. Përpos arsyeve ekonomike për të emigruar, mungesa e shpresës se situata në Shqipëri do të përmirësohet për mirë është një faktor që ka shënuar rritje krahasuar me 10 vite më parë.”
Është mëse e qartë se shpresa është zhdukur. Faktorët politikë dhe ekonomikë po e bëjnë këtë. Kjo po ndodh çdo ditë, me dhjetëra-mijëra biznese kanë falimentuar dhe po vazhdojnë të falimentojnë — kjo mund të jetë edhe një pasojë e politikave fiskale të qeverisjes së Edi Ramës, sidomos me inkurajimin e taksës progresive. Dhe ç’shpresë mund të ekzistojë kur sheh gjithë këto gjëra të këqija, fatkeqësisht, që po ndodhin?
Është gjynah që ky vend po boshatiset. Nëse të gjithë largohen, kush do të investojë në të ardhmen? Kush do të merret me biznes në Shqipëri? Kush do të merret me drejtimin e politikave të vendit? Kush do të sjellë inovacionin dhe zhvillim e vendit? Po talentet e reja kush do i zhvillojë? Kush do t’a shpëtojë Shqipërinë nga ky “kurs” shpopullimi?
E kam përshendetur me shumë entuziazëm iniciativën e deputetit Agron Shehaj, për t’i bërë ballë këtij fenomeni. Krijimi i një kursi falas për të rinjtë e apasionuar rreth teknologjisë së informacionit dhe zhvillimit të softuerëve është një nga idetë më brilante që kam dëgjuar ndonjëherë. Nga sa e kam ndjekur, më ka lënë përshtypjen e një politikani libertarian, të cilit vërtet i dhimbset ky vend.
Para një jave, gjatë një leksioni të Management of Information Systems, pedagogu na pyeti se a kemi ne ndonjë ide inovatore për biznes. Një nga përgjigjet ishte: “Po ç’ide mo profesor, ne duam të ikim sa më shpejt që këtu.” Dhe kjo nuk është ideja e vetëm një individi, është një ide e përbashkët e shoqërisë aktuale. E them me plot bindje se edhe ata studentë që qëndrojnë në universitetet shqiptare, presin me shpresë të madhe të mbarojnë nivelin e Bachelor-it dhe, më pas, studimet për Master t’i kryejnë jashtë.
Nuk është aspak qesharake të shohësh një largim masiv si ky, siç ndodhi pas rrënies së komunizmit. Njësoj si teoria e kohës fraktale (fractal time) të Gregg Braden, i cili shpjegon se koha ka një strukturë që ripërsëritet ndër vite ose periudha të ndryshme. Gjithsesi, pa hyrë në thellësira, dua të them se numri i lartë i shqiptarëve që duan të largohen është një nga problemet më të mëdha shoqërore që ka hasur dhe po has Shqipëria. Duhet të bëjmë diçka!