Pse FJALË

Baki Goxhaj
Oct 11, 2017 · 3 min read

Jo gjithçka ecën me hapin e kohës në Shqipëri, dhe ndër gjërat që kanë çapitur deri tani është edhe ekzistenca e një fjalori shqip online të denjë për kohën. Edhe pse përpjekjet për diçka të tillë kanë nisur më shumë se një dekadë më parë, ato kanë qenë teknikisht të varfra dhe brendësisht të vjetruara, duke i ofruar brezit të ri shpjegime të ngarkuara ideologjikisht edhe pse Komunizmi ka rënë prej më shumë se një çerek shekulli.

Për këto arsye, para afro një vit më parë hodhëm hapat e para për të ndërtuar fjalorin FJALË me tri synime fillestare në mendje: ndërtimin i një produkti dixhital të denjë për kohën, pastrimin e lëndës bazë nga ngarkesa ideologjike komuniste dhe pasurimin i fjalorit me fjalë dhe kuptime të reja të shqipes.

FJALË, duke qenë fjalor shqip online, duhet të kishte pikë shumë të fortë faqen e internetit. Gjatë gjithë procesit të ndërtimit të fjalorit i është dhënë rëndësi faktit që fjalori të jetë i thjeshtë dhe i këndshëm për t’u përdorur.

Pamja e FJALË në ekrane të ndryshme

Ndërfaqja është mbajtur minimale dhe e shpejtë, kurse përvoja e këndshme e përdorimit është përpjekur të arrihet duke i dhënë ndërfaqes disa efekte vizuale dhe gjithashtu duke e ndihmuar vizitorin me sugjerime kur fjala nuk gjendet në fjalor apo me komentet përkatëse kur vizitori përcillet nga një fjalë e shkruar gabim, tek ajo e shkruar saktë.

Një risi e FJALË është dhënia e çdo fjale një URL unike, duke lejuar citimin e çdo fjale me lehtësi nga palë të treta, gjë që mungonte në të gjithë fjalorët ekzistentë online.

Përvoja e përdorimit është shumë e rëndësishme dhe shihet me prioritet gjatë vendimeve që merren për zhvillimin e mëtejshëm të produktit.

Si një nga arsyet kryesore që na shtynë të punojmë për këtë fjalor dhe një nga frustrimet më të mëdha me fjalorët e tjerë, kësaj pike i është kushtuar dhe do të vazhdojë t’i kushtohet vëmendje e veçantë.

Përkufizimi i fjalës ‘polici’ në një nga fjalorët online

Është e pafalshme që rinisë së sotme me qasje të plotë në internet t’i ofrohet vetëm një produkt një çerek shekulli i vjetër dhe që ka pasur si funksion parësor propagandimin e ideologjisë vrastare komuniste para funksionit të pritur si fjalor shpjegues.

Një pjesë e mirë e fjalëve të ngarkuara ideologjikisht janë pastruar dhe përmirësuar dhe po punohet vazhdimisht për pjesën tjetër në mënyrë që fjalori të jetë rrjedhimisht tërësisht i ripërtërirë në këtë aspekt.

Lënda e parë e fjalorit FJALË është marrë nga “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të vitit 1984, i fundit i fjalorëve komunistë. Si rrjedhojë, përveç faktit që është i tejmbushur me propagandë kundër “borgjezisë” dhe “mikroborgjezisë”, është edhe i vjetruar për shkak se më shumë se tri dekada kanë kaluar që atëherë dhe gjuha ka ndryshuar bashkë me kohën dhe zhvillimet teknologjike.

Për këtë arsye, fjalori përditësohet vazhdimisht me neologjizma dhe me huazime që kanë përdorim të gjerë në shqip. Gjithashtu, shumë nga fjalët kanë marrë kuptime të reja, gjë e cila kihet vazhdimisht parasysh dhe fjalët përditësohen sipas rastit.

Pra, një përditësim i gjithanshëm i fjalorit është në proces e sipër. Dhe e gjithë kjo bëhet me zell dhe me shpresën që t’u ofrohet shqipfolësve një fjalor shqip i denjë.

Hapësira për inovacion në fushën e gjuhësisë dhe veçanërisht atë të leksikologjisë është e gjerë dhe e paeksploruar dhe idetë e planet tona janë të mëdha. Detyra parësore që i kemi vendosur vetes është pastrimi i plotë i fjalorit nga mbeturinat e Monizmit dhe përditësimi sa më i plotë.

Në aspektin teknik, përveç përmirësimeve të vazhdueshme, shpresojmë që në të ardhmen të ofrojmë aplikacione përkatëse për platformat kryesore të celularëve dhe gjithashtu të implementojmë funksionalitetet e nevojshme që të na lejojnë ta hapim fjalorin për kontribute të personave të interesuar. Më tej, mundësitë janë të panumërta.

FJALË

FJALË është fjalor shqip online i përditësuar me fjalë dhe kuptime të reja dhe të pastruara nga ngarkesa ideologjike komuniste.

Baki Goxhaj

Written by

Web Technologist. Lead developer at VF Publishing. Creator of PHPloy.

FJALË

FJALË

FJALË është fjalor shqip online i përditësuar me fjalë dhe kuptime të reja dhe të pastruara nga ngarkesa ideologjike komuniste.