Çështja “Tahiri” versus “incinerator”.

Lavdosh Ferruni
Mjedisi
Published in
4 min readApr 28, 2018
Edi Rama, Berlin 25 Prill, 2018

Në muajt e fundit nëse bëhet një monitorim i mediave lidhur me cështjen “Tahiri” nuk besoj se do të egzistoj një ditë e vetme kur të mos jetë përmendur të paktën një herë çështja “Tahiri” për mbjelljen e kanabisit dhe lidhjet e mundshme me kryeministrin Edi Rama. Nga ana tjeter, po në këtë kohë ka pasur një heshtje mediatike frikësuese për “mbjelljen” e incineratorëve. Në çështjen Tahiri Rama e ka pasur një përgjigje dukshëm të pakontestueshme: “Çështjen e kanë në dorë organet e drejtësisë”. Çështjen e incineratorëve e ka në dorë plotësisht Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

A është çështja e incineratorëve e rëndësisë sa e kanabisit? Duke konsideruar se kanabisi mbillet një herë në vit, kurse incineratori “mbillet” një herë në 30–50 vjet një gjykim i shëndoshë të çon në atë se rëndësia e incineratorëve është madje edhe shumë më e madhe. Për këtë rëndësi mjafton prononcimi i Komisionit Europian në raportin për rekomandim e çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Në raport ndryshe nga çdo konstatim tjetër në raport, për incineratorët shkruhet për papajtueshmëri me parimet e Bashkimit Europian : “Ndërtimi i një incineratori në Elbasan, që filloi operimin vitin e kaluar dhe planet për investime të mëtejshme në incineratorët përbëjnë shqetësime në kuptimin e pajtueshmërisë me parimet e BE-së.”- shkruan raporti. Në Berlin, këtë javë, në konferencën me gazetarët, gjatë vizitës aty lidhur me takimin e tij me kancelaren e Gjermanisë, znj Merkel, pyetjes që ju bë aty, me konotacion të fortë kritik dhe në referencë të raportit të rekomandimit të Komisionit Europian, Rama u duk se kishte një lëkundje, krahasuar me vendosmërinë e shprehur pak ditë më parë pyetur nga gazetarët në Fier për ndërtimin e incineratorit në Verri. Ai nw Berlin tha se “me shpresë” do ndërtohen edhe 2 incineratorët e tjerë, përvec atij të Elbasanit që është ndërtuar. Në Përgjigjen e z. Rama vihet re dhe pasakësi jo e vogël, që ai ka me informacionin, së paku lidhur me problemet e mjedisit. Ai i quajt, në Berlin, rezultatet e incineratorit të Elbasanit “trullosëse” (stunning), në një kohë kur incineratori i Elbasanit nuk mund të quhet se është në punë, por është vetëm në fazë kolaudimi, e nuk punon as me gjysëm të kapacitetit të tij.

Por duket se në mbledhjen e Asamblesë së PS, sot dicka ka ndryshuar. Duke iu referuar zhvillimeve në Kukës, në këtë mbledhje kryeministri u shpreh në mënyrë autokritike, për akuzat e arrogancës në qeverisjen e tij, duke thënë se çdo vendimarrje e qeverisë nuk do të kalojë pa u konsultuar më parë me qytetarët. Llogjika të thotë se vendimmarrjet e filluara për incineratorët e Fierit dhe të Tiranës medomosdo, tash do konsultohen me qytetarët, duke filluar qysh sot, që si për koincidencë, banorët e fshatit Verri, ku po shtrohen rrugët përmes parcelave me grurë drejt parcelës që është piketuar për incineratorin kanë protestuar.

Verri, 28 Prill 2018

Banorët e Verrisë dhe fshatrave përreth të kërcënuar seriozisht nga incineratori, kanë më shumë se një vit që protestojnë, por pa djegur e pa thyer as një xham. Informacioni për ta është vetëm rrethimi i vendit të incineratorit dhe një tabelë e vendosur atje me kordinata, të gabuara që nuk i përkasin atij vendi. Banorët qysh para një viti kanë firmosur, duke paraqitur kartën e tyre të identitetit, kundërshtimin e tyre të hapur për ndërtimin e incineratorit nëpërmjet peticionit drejtuar autoriteteve të vendit përfshi z. Rama.

Është koha për diskutim të gjërë me publikun. Si ka mundësi që asnjë politikan Shqiptar, jo vetëm në Qeveri, por edhe në Kuvend nuk flasin më fare për riciklimin e mbetjeve, si 1–2 vjet më parë, kur riciklimi ishte kryefjala. Edhe me djegjen e fabrikës më të madhe të riciklimit në Shqipëri nuk kemi asnjë prononcim nga autoritetet. Heshtje e frikshme deri sot. Nesër duhet dhe do të jetë ndryshe. E tha edhe Kryeminstri. A do japë dikush urdhër që të pezullohen punimet për incineratorin e Fierit, deri sa Qeveria e Kryetari i Bashkisë së Fierit të flasin me qytetarët?

--

--