Fotovoltaiku i Karavastas investimi më i suksesshëm në Ballkan: Qeveria e detyruar të hesht për suksesin e saj.

Lavdosh Ferruni
Mjedisi
Published in
3 min readMay 29, 2020

Miratimi i fituesit të tenderit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastas me kapacitet 140 MW, ku çmimi i blerjes për gjysmën e sasisë së energjisë elektrike të prodhuar do jetë vetëm 24.89 Euro për MW/orë është një investim i shkëlqyer në pikpamje ekonomike, punësimi dhe mjedisore. Pra kemi energjinë më të pastër në planet dhe me cmimin më të ulët në Ballkan. Një sukses i madh i Qeverisë së Edi Ramës. Shumëkush mund të thotë se është toka shqiptare që ka 300 ditë me diell që të çon natyrshëm drejt një investimi të tillë. Sidoqoftë nuk mund të mos thuhet që Qeveria ka meritë kryesore në kurajon për të hyrë në këtë investim të sukseshëm.

Ndryshe nga performanca e saj e zakonshme, ku marketingun e punëve të saj e ka prioritet, në rastin e veprës së fotovoltaikut të Karavastas ajo është e detyruar të hesht. Paradoksalisht arësyeja e heshtjes është çmimi i ulët i blerjes të energjisë. Nëse fituese do ishte një kompani që çmimin e blerjes do ta kishte sa e kërkoj ministria cmimin tavan afro 50 Euro për MW/orë, promovimi do ndodhte, suksesi do amplifikohej, por kjo nuk mund të ndodh me çmimin e fituesit real prej 24.89 Euro për MW/orë.

Pse?

Arësyeja kryesore është se Qeveria ka nënshkruar kontrata , dhe vazhdon të nënshkruaj kontrata me HECet e vegjël deri në 15 MW me çmim të garantuar që është mbi 2 herë më i lartë se çmimi i ofruar nga kompania fituese, kompania Franceze Voltalia. Konkretisht për vitin 2020 çmimi i miratuar i blerjes nga ERE është 8.053 lek për KW/orë, ose afro 66 Euro për MW/orë. Dhe ky raport cmimi, mbi 2 herë më i lartë do jetë për HECe që vazhdohet të ndërtohen dhe kontraktohen për 30 apo më shumë vite. Nëse llogaritet edhe dëmi që shkaktojnë këto HECe në natyrë, në ekosistemet malore me vlerë shumë të madhe, dëmet në ekonomitë bujqësore e turistike dhe vetë jetesën e banorëve , llogjika më e thjeshtë të çon në konkluzionin se Qeveria në rastin më të mirë është e çmëndur ose ndryshe është përfundimisht e kapur nga mafia e HECeve.

Një arësye tjetër pse Qeveria nuk do promovoj investimin super të dobishëm të impiantit fotovoltaik të Karavastas është afera e 3 konçesioneve të inceneratorëve, të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, që gjoja do prodhojnë energji elektrike nga plehrat, por jo vetëm që nuk prodhojnë dot, por nëse vërtet do prodhonin, çmimi për 1KW i tyre do ishte stratosferik, ndërsa dihet se çfarë efekti ka në shëndet djegja e plehrave.

Edhe opozita, nuk do ta përmëndi impiantin e energjisë diellore, pasi kur ishte në pushtet, jo vetëm që nuk ndërtoi , qoftë edhe 1 MW impiant fotovoltaik, por ju vërsul lumenjve, madje duke qënë edhe hartuese e një legjislacioni tërësisht në favor të klientëve të vet dhe shoqëruar me një dëm shumë të madh në mjedis, të shumë fshatrave malor, legjislacion me të cilin livadhis edhe Qeveria e sotme.

Heshtjen e Qeverisë do duhet ta thyejnë qytetarët, duke e detyruar atë urgjent të izoloj HECvirusin, që po shkatërron lumenjtë dhe ekosistemet e mrekullueshme të Shqipërisë.

--

--