ELIAS KANETI — SHKRIMTAR EVROPIAN

OSMAN GASHI

(Mbi veprën “VETËDIJA E FJALËVE” — përmbledhje esesh sociologjiko — letrare” )

I. Kaneti dhe vepra e tij

Përkthimin në gjuhën shqipe dhe botimin e veprës letrare e eseistike të Elias Kanetit do të duhej parë jo thjesht si përkthim dhe botim të një shkrimtari bashkëkohor, fitues të çmimit Nobel, por më shumë se kaq. Do të duhej parë edhe si përkthim të një autori shumëdimensional: letrar, filozof, sociolog, psikolog, kritik e eseist e mbi të gjitha një krijues i mirëfilltë kosmopolit evropian në plotkuptimin e fjalës.

I lindur në qytezën Rushçuk (Ruse) të Bullgarisë veriore, në bregun e poshtëm të Danubit, në kufi me Rumaninë në një familje hebreje, me prejardhje nga Spanja, Elias Kaneti në moshën gjashtë vjeçare u shpërngul në Angli, ndërsa pas vdekjes së babait shkoi në Vjenë. Më pas studioi në Frankfurt dhe Cyrih, jetoi në Paris dhe sërish në Angli (Londër). Në familjen e tij flitej spanjollisht dhe gjermanisht.

Titullin e këtij shkrimi qëllimisht e kam vënë “Elias Kaneti — shkrimtar evropian”, pikërisht për shkak të kësaj harte kaq gjithëpërfshirëse të biografisë së tij. Po kështu, duke qenë i vendosur dhe i shkolluar në shumë vende të Evropës dhe në shumë gjuhë evropiane, ai e kishte mbajtur pikërisht gjuhën gjermane si mjet të shprehjes së tij letrare. Diku në shënimet e tij ai pohon: “ndjehem si në shtëpi vetëm atëherë kur me laps në dorë shkruaj fjalët gjermane, ndonëse gjithçka rreth meje flet anglisht”.

Gati në të njëjtën mënyrë dhe duke dëshmuar kosmopolitizmin e tij ishte shprehur edhe një tjetër shkrimtar i madh i kohës sonë, Vlladimir Nabokov. Ai pohonte: “mendja ime flet në gjuhën angleze, zemra ime në gjuhën ruse kurse zëri im në gjuhën frënge”.

Që në fillimet e shekullit XIX romantiku i madh anglez Persi Bissh Shelley kishte vënë në spikamë faktin se “poetët po sikur edhe filozofët, piktorët e muzikantët, nga njëra anë janë KRIJUES, ndërkaq nga ana tjetër KRIJESA të epokave të tyre.

Elias Kaneti është ndër krjuesit e rrallë të shekullit XX që thellësisht shpërfaqi gjithë vibrimet, lëvizjet, kthesat, ngritje — rëniet, konfliktet, botën e letërsisë e të krijuesit të epokës së tij. Vepra e tij që e kemi në dorë “Vetëdija e fjalëve” është quajtur një përmbledhje shënimesh nga të cilat është përjashtuar çdo privatësi kështu që nuk mund të konsiderohen vetëm një ditar personal. Temat për të cilat shkruhet janë: arti, religjioni, historia, forca, antika, Lindja e largët, vdekja, transformimi, koha, në veçanti pozita e krijuesit në kohën e sotme.

Në raste të veçanta ironia e sarkazmi te ai janë aq të thella, kur merret me anën e errët e negative të njeriut, sa që lexuesin e vendosin para hamendësimeve të çuditshme. Ai pohonte: “Duhet të jemi të këqinj sepse jemi të vetëdijshëm se na pret vdekja. Do të ishim akoma edhe më të paskrupullt po ta dinim që nga fillimi se kur do të na gjejë ajo”.

Interesimet e autorit në këtë libër janë nga më të ndryshmet. Shkrimet kapin periudhën nga viti 1962 e deri më 1974. Aty gjejmë shkrime për Kafkën, Konfuçin, Byhnerin, Tolstojin, Karl Krausin, Hitlerin, pastaj për tragjedinë e Hiroshimës si dhe shkrime udhëzuese për ditarët dhe për shkrimin e romaneve. Në të gjitha këto krijime të tij, që nga analizat e pastra letrare e deri tek esetë filozofike e sociologjike Kanetin e shquan skepsa e thellë a dyshimi, por mbi të gjitha humanizmi i pastër. “Armiqtë e njerëzimit”, thekson ai, “e kanë forcuar me shpejtësi të madhe pushtetin e tyre, ata ndodhen shumë afër qëllimit përfundimtar, shkatërrimit të tokës; është e pamundur të shpërfillësh e të hiqesh mënjanë për t’u marrë me soditjen e modeleve intelektuale që mund të kenë akoma një farë rëndësie për ne”.

Njëri ndër studimet më të vëllimshme në vepër i kushtohet Franc Kafkës, më saktë, korrespondencës së tij me Felicen, një grua, me të cilën lidhjet e Franc Kafkës ishin, thënë më së buti, kundërthënëse. Kemi të bëjmë me 750 faqe letra.

Duke analizuar e gjykuar mbi përmbajtjet e atyre letrave Kaneti përpiqet të zbulojë burimet e vërteta të prozës së Kafkës. Madje ai thekson se “raportet e Kafkës me Felicen e krijuan “Procesin”. Në këtë studim të thellë psikoanalitik e fenomenologjik Kaneti e shquan njërën nga temat e trajtuara më shpesh te Kafka, temën e poshtërimit, te “Procesi”, “Amerika”, “Metamorfoza”. Autori shprehet se “Kafka, në veprat e tij e kishte marrë anën e të poshtëruarve”.

2. Përkthimi

Përkthimi nuk është një akt i thjeshtë bartjeje i kuptimeve të një teksti nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Ai është shpesh edhe një rikrijim, rigjetje, rikuptimësim, madje edhe, kur kemi të bëjmë me tekste të kohëve të ndryshme, edhe një rikontekstualizim i përmbajtjeve, frymës, ideve e filozofisë krijuese. Vetë fakti se përkthyesi i ka hyrë një ndërmarrjeje të tillë është për t’u përgëzuar dhe vlerësuar. Sepse vepra e Kanetit nuk mund të cilësohet vetëm si letërsi apo vetëm si filozofi as vetëm sociologji a kritikë letrare por sigurisht të gjitha bashkë.

Midis dilemave të stërmëdha të vëna në pah nga studiues të letërsisë krahasimtare apo të teoricienëve të përkthimit të tipit: asgjë nuk është e përkthyeshme dhe gjithçka është e përkthyeshme, përkthyesi i kësaj vepre ka vendosur t’i rreket një pune të vështirë, plot gracka e pasiguri, por të domosdoshme e dobiprurëse.

Ai është sigurisht i vetëdijshëm se, siç pohonte Henry Gifford, “një vepër e përkthyer nuk mund të jetë kurrnjëherë më shumë se sa një pikturë vaji e riprodhuar në një pikturë bardh e zi”. Mirëpo po kështu do të duhej të ishte i ndërgjegjshëm për të kundërtën, siç ishte shkruar në një gazetë frënge me rastin e përkthimit të veprës së Edgar Allan Poes në frëngjisht: “ekzistojnë dy Edgar Allan Poe — shkrimtarë: njëri amerikan — shumë mesatar, tjetri francez, shkrimtar gjenial (në përkthimin e Bodlerit e Stefan Mallarmesë).

Përmbledhja e studimeve dhe eseve të Elias Kanetit me titullin “Vetëdija e fjalëve” do ta pasurojë fondin e përkthimeve të vlefshme në gjuhën shqipe të teksteve e autorëve që kanë shënuar epokat e tyre. Bashkë me përgëzimet për një punë të vyer e me shumë vlerë të Naim Kryeziut, kemi të drejtë ta nxisim atë që të vazhdojë punën e nisur dhe t’i ofrojë lexuesit shqiptar edhe më shumë vepra të tilla e autorë të tillë nga areali gjuhësor gjerman.

Prishtinë, dhjetor 2015

One clap, two clap, three clap, forty?

By clapping more or less, you can signal to us which stories really stand out.