Në një planet me më shumë se shtatë miliardë njerëz, është normale që shumëllojshmëria e besime, ideve dhe përceptimeve është diçka që gumëzhin më zhurmshëm se bisedat e tjera të përditshme. Vetë natyra kurioze që kemi na shtyn të mëndojmë përtej aftësive tona për të përceptuar gjëra më të mëdha se vetvetja dhe duke pohuar fjalët e Gandit që “ekzistojnë po aq besime sa dhe njerëz” natyrshëm lind pyetja: Ekziston vallë një përspektive e cila është më afër realitetit se të tjerat?
“Ka gjëra të njohura që dihen. Pra, ka gjëra që e dimë që i dimë. Pastaj ka gjëra të panjohura që dihen. Kjo është si te thuash, ekzistojnë gjëra që ne e dimë që i nuk i dimë. Por gjithashtu ka dhe të panjohura që nuk dihen. Këto jane gjërat që s’i dimë që nuk i dimë.”
Përspektiva për të cilën do të flas është mjaft e lidhur me këto fjalë të Donald Rumsfeld. Sigurisht që ka gjëra që tashmë duhet të jenë njohuri bazë për çdo njeri, si prsh. që toka është e rrumbullakët apo që sillet rreth diellit dhe jo e kundërta. Por nëse kthehemi vetëm dyqind vite me përpara dhe u themi njerëzve këtë njohuri kaq elementare, më shumë mundësi do kishim rrezikuar të digjeshim në turrën e druve. Kjo si pasojë e njohurive të pakëta shkencore të asaj kohe dhe mbi të gjitha të pranimit të indoktrinimit nga besimet fetare të cilat perdorin injorancën e popullit si armë kontrolli, gjë që ndalon zhvillimin e dijes dhe të shkencës. Që njerëzimi të dilte nga ato kohëra të errëta, duheshin individualë të veçantë, të cilët i kishin shpëtuar indoktrinimit dhe kurioziteti i tyre kishte mbetur i paprekur nga mitet fetare. Këta individualë si Kopernikus, Kepler, Galileo e shumë të tjerë kishin një këndveshtrim të ndryshem për realitetin nga të tjerët dhe natyra kurioze tepër e theksuar që i karakterizonte, bashkë me një “spërkatje” gjenialiteti nga nëna natyrë, mundësoi ndryshimin e kursit të historisë së njerëzimit në vetëm disa dekada.
Vlen të përmendet dhe një faktor tjetër që shumë herë harrohet në hije, që për mendimin tim është një ndër arsyet kryesore të të gjitha zbulimeve të tyre. Ata nuk kishin frikë nga e panjohura. Ata e dinin që ekzistojnë të panjohura që nuk dihen dhe gjenialiteti i tyre vihet re pikërisht këtu, tek guximi për të dalë kundra dëshirave dhe kënaqesive që njeriu përfiton kur mendon që di gjithcka. Është ky guxim për të njohur gjëra që nuk dihen, që u injektua tek gjeneratat e ardhshme të shkencëtarëve dhe inxhinierëve. Ështe po ky ekspozim ndaj këtyre njohurive ajo që më bëri dhe mua të interesohem për gjëra që më parë kam pasur frike t’u futem në thellësi.
Bota e dijes dhe e shkencës është tepër e madhe dhe e komplikuar dhe ky është një fakt mjaft frikësues për mjaft vetë, gjë që nganjëherë shërben dhe si një mur që nuk kapërcehet thjesht nga ideja që dija nuk ka fund dhe injoranca është lumturi. Ky për mua është një iluzion dhe një neglizhencë totale për të njohur mjedisin në të cilin jetojmë dhe me tej. Është pikërisht ajo gjëja më tej, e cila më bëri të interesohem për astronominë, kozmologjinë dhe astrofizikën. Interneti është një gjë tepër e fuqishme nëse përdoret në mënyren e duhur dhe njerëzit do habiteshin nëse do zbulonin që ka gjëra të tjera më interesante sesa rrjetet sociale.
Ekzistojnë mjaft figura humaniste që kane ndryshuar përceptime dhe që kanë krijuar shkrime që mund të të lëkundin emocionalisht dhe mendërisht. Në këtë mes do veçoja përsonazhin e Çarli Çaplin tek filmi “Diktatori i madh”, ku ai, duke luajtur nën përsonin e Hitlerit mban një ndër fjalimet më humaniste dhe shpresë-dhënëse që një njeri mund të ketë mbajtur ndonjëherë. Thirrjet e tij për liri, rebelim ndaj autoriteteve dhe himnet për paqen botërorë bëjnë jehonë në çdo rrjet social dhe mjaft herë është konsideruar si fjalimi më me vlerë dhe universal i mbajtur ndonjëherë. E mbaj mend herën e parë që jam takuar me ato pamje vizive dhe auditive dhe çdo herë përcillet me drithërima të njëjta përuljeje dhe nderimi. Por kjo përspektivë, pavarësisht mesazheve të fuqishme që paraqet, nuk është nje risi tek njohuritë dhe ndjesitë e njerëzve. Thirrja për paqe dhe dashuri është një poezi e kënduar që në fillim të njerëzimit dhe përsëri, duke parë gjëndjen në të cilën bota ndodhet, duket sikur akoma s’kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës.
Thonë që një foto flet më shumë se mijëra fjalë dhe disa të tilla me të vertete janë prova absolute e asaj thënieje. “E zbehta pika blu (Pale blue dot)” është një fotografi e planetit Tokë marrë në vitin 1990 nga sonda Voyager 1 nga një distancë rekord prej 6 miliard kilometra larg nga Toka. Në kete fotografi, Toka është treguar si një pjesë e një pixel (0.12 pixel në madhësi) kundër pafundësisë së hapësirës.
Në librin e tij “E zbehta pikë blu: Një vizion i të ardhmes së njeriut në hapësirë”, astronomi i famshëm Karl Sagan, shkruan mendimet e tij në një kuptim më të thellë lidhur me fotografinë:

“Nga kjo pozitë epërsie e largët, Toka mund të mos duket aspak interesante. Por për ne ështe ndryshe. Merre në konsideratë dhe njëherë atë pikë. Ajo pikë është këtu. Është shtëpia. Mbi të, të gjithë ata që do, të gjithë ata që njeh, të gjithë për të cilët ke dëgjuar, çdo qënie humane që ka ekzistuar ndonjëherë, të gjithë kanë jetuar jetën e tyre këtu. Totali i lumturisë dhe vuajtjeve tona, mijëra fe konfidente, ideologji dhe doktrina ekonomike, çdo gjuetar dhe mbjellës, çdo hero dhe frikacak, çdo krijues dhe shkatërrues i civilizimit, çdo mbret dhe fshatar, çdo çift i ri të dashuruarish, çdo nënë e baba, fëmijë plot shpresë, çdo “superstar”, çdo “lider suprem”, çdo shenjt e mëkatar në historinë e species tonë ka jetuar aty — në një grimcë pluhuri që rri pezull mbi një rreze dielli.
Toka është një skenë tepër e vogël në një arenë të pafund kozmike. Mendo për lumenjtë e gjakut të derdhur nga gjithë ata gjeneralë apo perandorë, që në lavdi e triumf të mund të bëheshin zotërit e një fraksioni të një pike.
Mendo për mizoritë e pafund të bëra nga banorët e një cepi të kësaj pike tek banorët thuajse të njëjtë të një cepi tjetër.
Sa të shpeshta keqkuptimet e tyre, sa të etur për të vrarë njëri-tjetrin, sa e zjarrtë urrejtja e tyre. Portretet tona, rëndësia jonë e vetë-imagjinuar, iluzioni që kemi një pozitë të privilegjuar në univers, sfidohen nga kjo pikë e zbehtë drite. Planeti jonë është një pikël e vetmuar në të zezën mbështjellëse kozmike. Në errësirën tonë — në gjithë këtë pafundësi — nuk ekziston asnjë e dhënë që ndihmë do të vijë nga diku tjetër të na shpëtojë nga vetvetja.
Toka është bota e vetme e njohur, deri më tani, që strehon jetë. Nuk ekziston asnjë vend tjetër, të paktën në të ardhmën e afërt, në të cilin specia jonë mund të emigrojë. Të vizitojë, po. Të shpërngulet, akoma jo.
Të pëlqen ose jo, për momentin, toka është vendi ku bëjmë qëndresën tonë. Është thënë që astronomia është një eksperiencë modeste dhe që krijon karakterin. Ndoshta nuk ka demonstrim më të mirë të marrëzisë së mëndjemadhësisë së njeriut sesa ky imazh i largët i botës sonë të vogël. Për mua, thekson përgjegjshmërinë tonë që të sillemi më me dashuri me njëri-tjetrin dhe të mbrojmë e të duam të zbehtën pikë blu, të vetmën shtëpi që kemi njohur ndonjëherë.”
Mjafton ky shkrim që të kuptohet mjaft qartë perspektiva kozmike e një njeriu, që me kuriozitetin e tij të zjarrtë për shkencën dhe pasionin e pashuar që çdo njeri të mësojë më shumë për kozmosin, historinë e tij dhe rolin e qënies njerëzore në të, frymezoi gjenerata te tëra studentësh drejt rrugës të së panjohurës. Është skepticizmi, të qënit kritik ndaj të gjitha ideve që na paraqiten dhe të qënit subjektiv duke lënë mënjanë shpresat apo ëndrrat e gënjeshtërta që kemi, ajo që i jep spiritualitetit krejtësisht një kuptim tjetër, një kuptim që krijon shpresa më të medha se vetvetja dhe një të ardhme më të paimagjinueshme se secila ëndërr mitike. Në momentin e zhvëndosjes se vetes nga qëndra e universit dhe pajisjes së syve me përspektiven kozmike, çdo njeri afrohet më shumë drejt ndërgjegjësimit që magjia e realitetit është më e mrekullueshme se ëndrrat mitike dhe që ajo fillon gjithmonë tek pse’ja e parë.
Email me when Universi i dijes empirike publishes stories
