VERA QË S’KTHEN
@Osman Gashi
Është vonë
Mbi pullaz një këndes prej llamarine
Kumton…
Ndanë xhadeve trotuareve të zymta
Nëpër skutat e errëta ku janë mbushur ding
Konteinerët
Pak para muzgut ka mundur të gjendet
Ndonjë kothere apo bisht cigareje për lypësin e çalë
O natë që s’lëvizë!
Qyteti duket si barku i një aligatori mijëvjeçar
Që ka kullufitur ç’ka hasur përpara
Terri ka mijëra sy vezullues e të përgjakur
Terri ka vetminë
Një këndes prej llamarine
Mbi pullaz
Kumton? …
Ditë e re do të vijë
Do të jetë stinë e vjeshtës
Qielli do të jetë i vranët
Dhe baltë do të ketë mjaft sa për të krijuar përsëri njeriun e parë
Nëpër taverna ku ngadalë davaritet tymi
Ndanë lumenjve që s’janë më
Me paterica shëtit vetmia
Muzika e mjaullimave këlthitjeve hungërimave
Është zbrazur në mua
Shoh
Si një thikë e madhe vezulluese
Shpon qiellin posi një kadife të mykur
Vjeshta fut gishtat reumatikë nëpër të çarat e saj
Dhe dalëngadalë po ikën duke na lënë syzgurdulluar
Vera që s’kthen
ZOG NATE
Nuk e di kur bie terri e mbulon ditën
Ç’bëjnë zogjtë: çlodhen, flejnë a ëndërrojnë fluturime të reja
Kur ndizen llampadarët e qiellit an’ e kënd
Si pluhur i shtresuar në fashë frymon heshtje shtatzënë
As gladiola as lotosë as orkide as krizantema as jargavanë
As uji gurgullon në përroskë as tejat krimbat s’pipëtijnë
Kur bie natë mbi botë anë e poshtme e jetës a zgjohet
Gjithçka që prek me duar s’është lëndë e ngurtë
As lëviz as kërcen as bie as duket as ndjehet
As thithet as villet as merr frymë as vdes si Efemerë
Jeta është emblemë e ndryshkur purpur i flashkët
Të duhet një thikë t’ia gërryesh rreshkat t’ia pastrosh fytyrat
Jeta është trampolinë për në qiell kur bie nata
As mundesh as të do as e ndjen se trupin nuk ta tërheq më gravitacioni
Je një masë amorfe si kacek i fryrë në një festë hijesh
Trupi të fle brenda një kambane të qelqtë mbi të cilën
Or’e ças çukisin zogjtë e natës. Ti prehesh e s’ndjen se Duhet të dalësh
Nga kjo karantinë e të fluturosh mbi eukaliptusët shekullorë
Të shohësh gjithçka të shohësh: Botën që dremit
Deri sa të mos bjerë një shi i madh e të shkrijë çdo gjë
Nga ëndrrat e gjata të të shkëputen krahnezë si Akullnaja polare
E të flesh duke mos pasur idenë se ç’është gjumi ëndrrat ankthi
II.
Nuk e di a nuk e di kur ditën e mbulon terri
Ç’kumton zogu i zi i natës
Kah cili yll duhet drejtuar sytë
Si foshnjë që i fut doçkat nënës në gjirin e ngrohtë
E përkundet nën ritmin e përrallës së stërpërsëritur një mijë herë:
“Biri im Uji po vjen uji po vjen si një mik i moçëm
Të na e mësojë gjuhën e rëndë të Durimit Pritjes”
Si bimë që me zor lëshon rrënjët në trollin e gurtë
E sa vështirë pastaj ta shkulësh si zemrën nga krahërori
A qan a qesh a fërkon sytë e skërlubur a përdridhet si gjarpër në flakë
Nata është e gjatë bashkë e zezë brenda kamares pa ajër
Kur s’ke barë të gjelbër t’ia përkëdhelësh klorofilin vesën
Kur s’ke vesh të dëgjosh si bie muzikë e heshtjes si zbrazen tundullimat
Po ti je zog ti je zog nate që më çukitë në kapakët e dritares
Derisa shiu fillon koncertin strehëve
Ti sheh çdo gjë dëgjon çdo gjë Ti m’i mëson të gjitha fjalët
Që më shkrihen në letrën e bardhë
Z o g n a t e …
PO RRI
Po rri
si torzo e gjallë mes hijesh
pa mundur t’i përshëndes
ata që më deshën
dhe zogjtë që fluturuan
Po rri
dhe nata rri bri meje
e rëndë tekanjoze
barkë e kalbur në një mol të harruar
frikësohem e qesh
nga ndjenjë e përjetësisë
Kujtime të çala më thërrasin
deri sa
nga qielli i bronztë
shi pikëllimi
bie …
KOHA, MENDIMET…
Ma marrin kohën, m’i marrin mendimet
Dhe më lënë të vetmuar
Trung në acar
Ç’të bëj pos të luaj me vetveten
Derisa të më fërfëllojnë degëve të mahagonit
Si lecka të shkapërderdhura
Erërat e Vjeshtës
Fluturimit tim i këndon Eoli
Vajit tim i duartrokasin
Oktapodët salamandrat gaforret
Që i shpëtuan Nout shtegtimit të gjatë
Më ndrydh gur i dhembjes
Që kur ma morën Kohën
Që kur m’i morën Mendimet
Të kaluarat ditë
Trenat bishtëgjatë të harresës
DITËT
Janë nisur drejt perëndimit
Duke na e lënë puhinë e parfumosur mall
Si kuaj krifëbardhë legjendash
Deri sa ende s’ka rënë natë e gjatë
T’i herrë kujtimet fjalët
Janë nisur
Karvane të pakëputura hijesh
Duke mbledhur e bartur mbi shpinë
Copëra të shkapërderdhura
Fragmente jete
T’i ruajnë tok
Deri në një përrallë të re të parrëfyer ende
Deri në një stinë të re
Deri në një fillim të ri
O, deri në një Ditë të re!